HomePolitikë

Raportuesja për Shqipërinë në PE thirrje politikës: Vijoni me zbatimin e të gjitha reformave

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca, tha se ndjekja e reformave në Shqipëri janë disa nga kushtet për çeljen e negociatave me BE.

Zyrtarja e lartë e PE theksoi se do të ndjekë ritmin e reformave në Shqipëri, ndërsa tha se populli mund të ketë gjithnjë besim te BE, pasi ato janë të rëndësishme jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për qytetarët shqiptarë.

“Është nder që raportuese për Shqipërinë në BE dhe dua ta përmbush me përgjegjësi të mëdha. Ky është një udhëtim i gjatë, që shpresojmë ta realizojmë së bashku dhe t’ia dalim mbanë së bashku. Procesi i zgjerimit ka një rëndësi të madhe për BE, por edhe për Shqipërinë. Do të vazhdojmë me reformat në kuadër të progresit. Do të vij këtu disa herë gjatë viteve në vijim dhe do të flasë me të gjithë aktorët. Do të ndjekim ritmin e reformave, të jeni të sigurt për këtë. Këto reforma janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për BE, por edhe për qytetarët tuaj.

Shqiptarët duhet të vijojnë me zbatimin e këtyre reformave, jo vetëm në Reformën në Drejtësi, por edhe në reformën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë dhe reformën kundër drogës, si dhe Reformën Zgjedhore. Vendimi i fundit për shtyrë votimin është një tjetër hap i mirë për Shqipërinë. Shpresoj që të merren parasysh të gjitha rekomandimet nga Komisioni i Venecias dhe, patjetër, dëshira e shqiptarëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Shqiptarët mund të kenë gjithnjë besim te BE”, tha raportuesja e Shqipërisë në PE.

Santos u pyet nga gazetarët në lidhje me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, ku shtoi se ky është një vendim që i takon klasës politike.

Santos ka dhënë një mesazh të qartë për klasën politike në vend, që në sajë të plotësimit të reformave, të ulen në një tryezë për dialog.

“Nuk është momenti për t’u ndarë. Jemi para një hapi të rëndësishëm për vendin. Ndaj i bëj thirrje aktorëve politikë, të gjithëve atyre ia kam shpjeguar këtë moment. Askush nuk mund të thotë se përgjegjësia është e BE. Është përgjegjësi e BE, por dhe e aktorëve politikë në këtë vend. Thirrja ime është vetëm një; të përballeni me këtë objektiv për të përmbushur kriteret për të plotësuar reformat, forca politike duhet të futen në dialog dhe të vijojnë përpara me reformat, për atë që është në interesat të popullit shqiptar. I bëj thirrje partive politike për dialog. Duhet të vijoni me reformën zgjedhore. Ky vend duhet të bëjë reformën zgjedhore, në bazë të rekomandimeve të OSBE/OHDIR. Sa i takon zgjedhjeve, ky është një vendim që duhet ta marrin aktorët politikë dhe s’më takon mua që të hyjë në këto diskutime të kësaj natyre.”, tha Santos.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME