HomePolitikë

Reagime të shumta ndaj akuzave të Thaçit dhe Veselit, Hoti anulon takimin në Shtëpinë e Bardhë

Pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura, reagimet kanë qenë të shumta dhe nga më të ndryshmet.

Pas akuzave Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njofton se nuk do të marrë pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor me Serbinë.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën.

E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.”- tha Hoti.

Hoti beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare.

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka thënë Hoti përmes një postimi në “Facebook”.

Pas njoftimit për ngritje të aktakuzave, edhe presidenti Thaçi, ka anuluar vizitën e tij në Uashington, ku ishte planifikuar të zhvillohej një takim me zyrtarët serbë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ende nuk ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special, por ai ka reaguar nga ana simbolike duke ndryshuar “cover” foton në profilin e tij zyrtar në “Facebook” dhe duke vendosur imazhin e stemës së UÇK-së.

Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Ish-Kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian në 2011, Ambasadori Clint Williamson lidhur me këtë ngjarje ka deklaruar se akuzat në këtë proces janë ndaj individit dhe jo ndaj UÇK-së.

“Këto janë akuza serioze dhe implikimet për ata që po akuzohen janë po aq të rënda, por është e rëndësishme që këto akuza të adresohen përmes një procesi gjyqësor dhe në kohën e duhur. Në këtë pikë, unë sinqerisht shpresoj se do të ketë një rezolutë të qartë që jep drejtësi për viktimat e këtyre krimeve – një hap kritik që do të lejojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara dhe ta lënë pas këtë periudhë tragjike,”-tha Ambasadori Clint Williamson.

Përmes një reagimi zyrtar, BE-ja nuk i ka komentuar procedurat e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara.

“Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, është thënë mes tjerash në reagim.

Nga ana tjetër ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht edhe ish-pjesëtar i UÇK-së,  është shprehur  se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, e cila ka rezultuar më vonë me pavarësinë e Kosovës dhe se beson në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë ai përmes një postimi në “Facebook”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se lufta e UÇK-së është e drejtë dhe beson në pafajësinë e saj. Gjithashtu Kurti theksoi se aktakuzat e dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ajo çfarë po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të moçme. E di qe UÇK është luftë e drejtë, kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe veteranët e invalidët e luftëtarët janë më të drejtën e tyre e tonë”, tha ai.

Madje edhe për takimin e paralajmëruar më 27 qershor në Uashington, Kurti tha se nuk do të ishte i dobishëm në këto rrethana.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME