HomeSociale

Reagon Policia Kufitare Shqiptare: Nuk janë mbyllur pikat e kalimit me Kosovën

Pas publikimit të lajmit bazuar në deklaratën e autoriteteve të Kosovës, se janë mbyllur kufinjtë me Kosovën ka reaguar Policia Kufitare e Shqipërisë.

Policia Kufitare shqiptare deklaron se nuk janë mbyllur pikat kufitare me Kosovën dhe as fqinjët tanë të tjerë tokësorë.

“Të gjitha pikat e kalimit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, janë funksionale dhe vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.”- thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare.

Më herët Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë ka njoftuar se duke filluar nga data 13 mars, 2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë për të gjithë shtetasit, përkatësisht veturat e Republikës së Kosovës.

Policia Kufitare

Nisur nga disa lajme që qarkullojnë në media online në Shqipëri e Kosovë, se janë mbyllur pikat e kalimit me Kosovën, bëjmë me dije se:

Të gjitha pikat e kalimit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, janë funksionale dhe vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.

Pika e Kalimit Kufitar në Qafë Botë, Sarandë, është funksionale. Për momentin, pika nga pala greke është e mbyllur sepse po kryejnë dizinfektimin dhe menjëherë në përfundim të dizinfektimit, edhe nga pala greke do jetë e hapur.

Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e medias. Para se të publikojnë lajme të marrin konfirmim zyrtar, për të mos krijuar panik apo dizinformim tek qytetarët.

Policia e Shtetit këshillon që qytetarët të minimizojnë lëvizjen me mjete në qytetet ku është ndaluar qarkullimi apo në drejtim të qyteteve ku ka Pika Kufitare.

Policia Kufitare po plotëson të gjitha detyrimet për intervistimin e plotësimin e formularëve në të gjitha PKK-të, për të bërë të mundur ndjekjen në vijim të rasteve të dyshuara për shtetas shqiptarë apo të huaj që hyjnë në Shqipëri dhe mund të jenë të infektuar potencialë me COVID-19.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME