HomeSport

Real Madrid i pandalshëm në merkato, synon dyshen Mbappe-Neymar

Kylian Mbappe dhe Neymar, mesa duket do të shndërrohen në protagonistët kryesorë të kësaj merkatoje. Dy sulmuesit e skuadrës pariziene PSG, ende pa nisur mirë merkato e verës, kanë ndezur gjithçka, duke qenë në faqet e para të të gjitha mediave europiane. e mbi të gjitha atyre spanjolle. Pas një sezoni të dështuar, në Madrid po punohet për të rinovuar ekipin dhe për të konkurruar fort sezonin e ardhshëm. Deri më tani, është përfolur për një kalim të mundshëm të Neymar ose Mbappe në “Santiago Bernabeu”. Megjithatë, në një ide “të çmendur”, e përditshmja spanjolle “AS“, ka lëshuar një “bombë” të vërtetë, duke u bazuar në deklaratat e fundit të të trajnerit të Paris SG, Thomas Tuchel, ‘los blancos’, po përpiqen të afrojnë në ekip të dy sulmuesit.

Së fundmi, tekniku gjerman ka rinovuar kontratën me klubin parizien dhe në një deklaratë të tij, përforcoi më shumë idenë për largimin e dy yjeve kryesorë të ekipit. “Nuk mund të premtoj se të gjithë lojtarët e mi do të qëndrojnë”, u shpreh Tuchel. Dhe kaq mjaftoi, që deklaratat e tij të përkthehen si sinjale të rëndësishme të zërave të fundit të merkatos, që lidhin largimin e Mbappe dhe Neymar me klubin madrilen.

Nga ana tjetër Real Madrid nuk ka mohuar asnjë nga këto lajme, duke i dhënë një dozë të fuqishme optimizmi tifozëve të shumtë për një goditje të madhe gjatë kësaj merkatoje, ose pse jo edhe një goditje të dyfishtë.


TË NGJASHME