HomeRajon

Reeker, thirrje Shkupit: Jo lojëra politike, fokusohuni në reforma

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker në takimet (26.07) me autoritetet më të larta drejtuese në Shkup theksoi, se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur, ku vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet përmbylljes së reformave të filluara, duke vënë theksin në miratimin e ligjit të Prokurorisë Publike, me të cilin pritet të përcaktohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale.

“Duhet t’i tregohet opinionit se sundimi i së drejtës është kyç për vendin dhe askush nuk është mbi ligjin”, ka theksuar Reeker.

Reeker ka porositur opozitën maqedonase konkretisht VMRO-DPMNE-në që të marrë përgjegjësitë e veta ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, duke qenë pjesë aktive në procesin e reformave. Në demokracitë e mirëfillta, roli i opozitës është kyç, por opozita duhet të jetë konstruktive. Ka mbaruar koha e lojërave politike, tani është koha që gjërat të lëvizin për të mirën e vendit, ka thënë Reeker.

“Ligji për Prokurorinë Publike patjetër duhet të lëvizë, ndërkaq miratimi i tij tani do të nënkuptojë që ai nuk do të jetë më në pikëpyetje dhe se ndërkohë BE-ja mund t’i fillojë bisedimet në vjeshtë”, është shprehur Reeker

Zaev: Nuk dëshirojmë zhgënjime, jemi të hapur për opozitën

Kryeministri i Maqedinisë së Veriut Zoran Zaev ka thënë, se është i hapur që bashkë me opozitën të bëjë dhe hapin e fundit për arritjen e një ujdie për miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike që përfshin edhe statusin e Prokurorisë Speciale. Zaev ka theksuar se në tetor Maqedonia e Veriut ka shansin për t’i hapur negociatat me Bashkimin Evropian.

“Të gjitha paralajmërimet janë se në tetor do të merret vendimi aq shumë i pritur për fillimin e bisedimeve. Askush nuk dëshiron zhgënjime të reja dhe premtime të rrejshme, as në BE, as këtu në shtet dhe as në rajon. Askush nuk dëshiron që t’i jepet shans një pale të tretë jo qëllimmirë”, ka thënë Zaev.

Mickovski: Qeveria është jo konstruktive, opozita nuk ka faj

Lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski pas akuzave të ndërkombëtarëve drejtuar opozitës për obstruksion ka thënë, se do të ketë mundësi që Reekerit t’i tregojë, se “kush luan lojëra politike, dhe se jo konstruktive është qeveria e jo opozita”.

“Do të kemi mundësinë që në takimin me Reeker t’i themi, se kush luan lojëra politike dhe në mënyrë të hollësishme ta elaborojmë këtë. Ndërsa zoti Reeker, si një diplomat me përvojë, duke i dëgjuar të dyja palët shpresoj se do të sjellë vendimin e duhur”, ka thënë Mickoski. Ai theksoi se VMRO-DPMNE-ja ka qasje konstruktive dhe se duhet që të hapen pyetjet nëse Qeveria është konstruktive.

“Reeker në asnjë moment nuk ka thënë se opozita duhet që të sillet sipas parimit merr ose lër. Diplomatë me përvojë dhe njerëz, të cilët janë edukuar në sisteme demokratike nuk sillen si Zaevi i cili kërkon që të imponojë njëmendësi dhe censurë në mendimin e lirë”, është shprehur Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker është takuar edhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Diplomati amerikan ka marrë garanci nga BDI-ja për mbështetje pa kompromis në proceset integruese dhe reformat.

“Biseduam për çështje të rëndësishme, për përpjekjet tona që i bëjmë për sundimin e së drejtës në vendin tonë. Nga ne kërkohet konsolidim më i fuqishëm i institucioneve, posaçërisht të atyre që e implementojnë ligjin”, ka thënë lideri i BDI-së Ali Ahmeti./DW


TË NGJASHME