HomePolitikë

Reforma/ Ja katër kandidatët që do inspektojnë Drejtësinë e re

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të konfirmonte kandidimin e ish-kryeinspektores së KLDsë, Marsida Xhaferllarit, për të vazhduar garën më tej për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Inspektorja e Lartë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari
Inspektorja e Lartë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari

Në mbledhjen e kësaj të marte, KED njoftoi gjithashtu se gjatë ditës së sotme do të nisin intervistat me kandidatët për t’i hapur rrugë pikëzimit të kandidaturave për në të dyja institucionet. Ndërkohë, konfirmimi i Xhaferllarit nuk zgjidh problemin e mungesës së kandidatëve, që me shumë gjasë në mbledhjen e lajmëruar të KED-së në datën 9 gusht do të hapet sërish gara.

Ndërkohë, gara për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses do t’i sigurojë këtij institucioni 5 anëtarë, në kushtet kur Xhaferllari është kandidate edhe për në ILD. Gjykata Kushtetuese dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë janë dy nga institucionet më të rëndësishme të sistemit, ngritja e të cilave është nevojshme, për shkak të funksionit që ato kanë.

MARSIDA XHAFERLLARI

Prej vitesh në inspektoratin e KLD-së, Marsida Xhaferllari disa muaj më parë u përball edhe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që e hetoi atë në kuadër të rivlerësimit kalimtar në cilësinë e magjistrates, megjithëse në përfundim doli pa një vendim. Ndërsa kishte hetuar disa muaj, KPK konstatoi në seancën e vendimit që kishte dalë në përfundimin se Xhaferllari nuk e kishte më statusin e magjistrates dhe për këtë nuk mund ta shkarkonte apo ta konfirmonte atë.

I konsideruar si i pari vendim i llojit të tillë nga KPK-ja, nuk i ka krijuar probleme Xhaferllarit për kandidimin e saj në dy institucionet më të larta të sistemit. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave të kandidates Marsida Xhaferllari dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, pasi dëgjoi mendimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi: A. Lejimin e kandidimit të kandidates Marsida Xhaferllari për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. B. Lejimin e kandidimit të kandidates Marsida Xhaferllari për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 4.3.2019”, njoftoi KED.

KANDIDATËT

Me konfirmimin e Xhaferllarit plotësohen katër kandidatët që do të pikëzohen dhe më pas do të dërgohen në Kuvend për votim. Gjyqtari Artur Malaj është kandidati tjetër i konfirmuar. Mes disa dyshimeve për pasurinë, Malaj arriti të kalonte kontrollin e trefishtë të KPK-së në gusht të vitit që lamë pas, ndërsa vendimi është ankimuar nga Komisioneri Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij.

Edhe Artur Metani është konfirmuar nga KED për vazhdimin e garës. Në tetor të 2018-ës, ai u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit me urdhër të Kryeministrit, ndërsa ka një karrierë të gjatë në administratë. Më herët ka qenë këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Meidani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi.

Ndërsa nga viti 2013, është emëruar drejtor i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm, në Kryeministri. Kandidate e konfirmuar nga KED për të vazhduar garën për në ILD është edhe avokatja Eris Hysi.

Nga pasuria te figura dhe karriera, si u përzgjodhën kandidatët

Ardian Dvorani
Ardian Dvorani

Për verifikimin e kandidatëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë një kontroll për të gjitha kriteret e parashikuara në ligj. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Këshillit, veprimet hetimore dhe procedurat e verifikimit të kandidatëve të ndjekura nga Këshilli përfshihen informacione për pasurinë, të dhëna për punën e secilit kandidat, ndërsa mësohet se është bashkëpunuar me një sërë institucionesh. KED, në njoftimin zyrtar, tha se shprehte “vlerësimin dhe falënderimin e veçantë për përgjegjshmërinë, korrektësinë dhe shpejtësinë në dhënien e përgjigjeve dhe sjelljen e informacioneve të plota dhe profesionale të kërkuara nga shumica dërrmuese e institucioneve publike dhe subjekteve private”.

PASURIA

“Në lidhje me kontrollin e pasurisë, hetimi i ushtruar dhe raporti i kontrollit nga ILDKPKI, të dhënat e sjella nga më shumë se 45 institucione publike dhe subjektet private të fushës bankare, financiare, tregtare, tatimore, sigurimeve shoqërore etj., në përgjigje të kërkesave për informacion të Këshillit, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit”.

FIGURA

“Në lidhje me figurën dhe integritetin, hetimi i ushtruar dhe raportet apo përgjigjet zyrtare të dërguara nga institucionet publike si Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të gjitha institucionet e shërbimeve informative, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit”.

KARRIERA

“Në lidhje me kushtet e tjera ligjore të kandidimit, verifikimi dhe hetimi mbi dokumentacionin e kandidimit të paraqitur nga vetë kandidatët, të dhënat zyrtare të sjella nga institucione publike dhe subjekte private mbi kërkesat për informacion të Këshillit lidhur me karrierën, performacën e kandidatëve dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e kandidatëve në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit”./panorama.al


TË NGJASHME