HomePolitikë

Reforma Zgjedhore/ Flet Patozi

Kreu i partise “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi, teksa thekson se Shqipëria po vuan prej kohësh pasojat e një qeverisje të papërgjegjshme dhe të korruptuar, ka bere publike propozimet per nje reforme te thelle zgjedhore.

“Fakti që njëra palë nuk po di si të adminstrojë mbipushtetin e vet, ndërsa pala tjetër nuk po di si të sillet me mungesën e plotë të tij, është tregues i qartë se aplikimi në mënyrë krijuese i rendit demokratik gjatë këtyre 30 vjetëve në Shqipëri mund të konsiderohet i falimentuar”- thekson Patozi.

Sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur krizat në një vend demokratik. “Por natyrisht që kjo nuk mund të arrihet përmes një procesi të deformuar dhe të kontestuar. Shqipëria ka nevojë që të bëjë sa më parë zgjedhje normale, por ajo nuk do ta arrijë ndonjëherë atë objektiv, në rast se një gjë të tillë nuk e shkruan përpara në ligj”- thote Patozi.

PROPOZIMET E BINDJES DEMOKRATIKE PËR NJË REFORMË TË THELLË ZGJEDHORE

Shqipëria po vuan prej kohësh pasojat e një qeverisje të papërgjegjshme dhe të korruptuar, të cilës i është mbivendosur një krizë e thellë politike përfaqësimi, për shkak të daljes së pjesës kryesore të opozitës nga sistemi.
Pas përfundimit të zgjedhjeve problematike të 30 qershorit, “Rilindja” e Edi Ramës kontrollon tashmë edhe të gjithë pushtetin lokal të vendit, duke e çuar në ekstrem raportin mes kampeve politike të mazhorancës dhe opozitës.
Partia Socialiste ka fituar në mënyrë të pamerituar në 61 bashkitë e Shqipërisë, një rezultat që bie ndesh me performancën e qeverisjes së saj, të rrënuar moralisht dhe politikisht në vitet e fundit. Shoqëria shqiptare gjendet sot e ndarë si kurrë ndonjëherë më parë, për shkak të humbjes së çdo ekuilibri në administrimin e pushtetit, i cili ka kaluar padrejtësisht dhe paradoksalisht në njërin krah.
Ne mendojmë se rrethanat dhe përgjegjësitë specifike, që çuan në mbajtjen dhe në realizimin e zgjedheve anormale të 30 qershorit janë më pak të rëndësishme, se sa konteksti më i gjërë, që duhet parë në dritën e rënies së sistemit tonë politik.
Fakti që njëra palë nuk po di si të adminstrojë mbipushtetin e vet, ndërsa pala tjetër nuk po di si të sillet me mungesën e plotë të tij, është tregues i qartë se aplikimi në mënyrë krijuese i rendit demokratik gjatë këtyre 30 vjetëve në Shqipëri mund të konsiderohet i falimentuar. Ai ka prodhuar tashmë me tepricë arrogancë, padrejtësi, korrupsion, padrejtësi dhe arbitrariritet dhe nuk besojmë se duhen me shumë prova për të treguar se kemi mbërritur fundin e një aventure të pashembullt.
Shenjat e degradimit u dhanë të qarta në dy vjetët e fundit, në fillim me zgjedhjet politike të 2017-ës, të cilat u duk sikur u shpëtuan nga një marrëveshje-pazar e minutës së fundit, gjë që në fakt vetëm se e shtyu për pak kohë rënien. Për të shkuar pastaj shumë shpejt në zgjedhjet e 30 qershorit, e vetmja fitore e të cilave mund të konsiderohet fakti që nuk pati përplasje civile
Ne mendojmë se sistemi aktual politik e ka goditur fort demokracinë, në radhë të parë brenda partive politike, dhe kjo ka shkaktuar pasoja të rënda në gjithë shoqërinë shqiptare. Është një qark i mbyllur, që ka nxitur degradimin intelektual, servilizmin dhe klientelizmin, duke vrarë konkurrencën dhe qarkullimin e elitave politike në vend. Për të gjitha këto arsye është e domosdoshme që të rikthehet pesha e votës së qytetarit në vendimarrjen politike, si brenda partive, ashtu edhe në institucionet e shtetit.
Shqipëria ka nevojë sot për një kontatë të re sociale, për një pakt kombëtar mes palëve, që do të ishte parakushti elementar për daljen nga kjo spirale e rrezikshme krizash, të cilat mund të jenë të paparashikueshme, në rast se gjendja nuk do të ndryshojë.

Në këtë atmosferë të zymtë, ne jemi të bindur se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur krizat në një vend demokratik. Por natyrisht që kjo nuk mund të arrihet përmes një procesi të deformuar dhe të kontestuar. Shqipëria ka nevojë që të bëjë sa më parë zgjedhje normale, por ajo nuk do ta arrijë ndonjëherë atë objektiv, në rast se një gjë të tillë nuk e shkruan përpara në ligj.

NË KËRKIM TË VULLNETIT POLITIK

Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë të panevojshëm dhe joproduktiv debatin, që e cilëson reformën zgjedhore të parëndësishme, duke u ankuar vazhdimisht për mungesën e vullnetit politik. Ne mendojmë se për këtë shkak i kemi humbur shanset në katër palë zgjedhje radhazi, të cilat janë zhvilluar pa u kryer reforma zgjedhore, sepse ndryshimet e fundit në Kodin Elektoral janë bërë në vitin 2012.
Sabotimi i vazhdueshëm i reformës zgjedhore për vite me radhë, sipas nesh, ka ndodhur për dy arsye. Së pari, për ta pasur më të lehtë kontenstimin e zgjedhjeve, dhe kjo tashmë është e provuar. Por më kryesorja, për të evituar diskutimin e ndryshimit të sistemit politik, që do të hapej në çdo rast në tryezën e reformës zgjedhore.
Duhet ta kemi të qartë se vullneti politik nuk është një mrekulli, që zbret nga qielli ditën e zgjedhjeve dhe qëndron aty pastaj përgjithmonë, por është një proces i gjatë debati dhe përplasjesh për të arritur tek rezultati. Dhe në të gjitha rastet, ai nis me reformën zgjedhore, ku përcaktohen rregullat e lojës për barazi mes palëve në garë. Nga ana tjetër, të thuash që reforma nuk ka vlerë është që t’i lëshosh qeverisë avantazhet e tanishme edhe në zgjedhjet e radhës, ndërkohë që duhet të luftosh për të kundërtën. Dhe të shtysh apo të dështosh refomën zgjedhore, ështe njësoj si të pretendosh te ndërtosh një vepër të madhe pa projekt, gjë që është e pamundur.
Si forcë politike opozitare e djathtë mendojmë se ruajtja e statuskuosë dhe mospërmbushja e refomës zgjedhore është në avantazh të së majtës në përgjithësi, dhe të qeverisë në veçanti, që do të thotë se në kushtet tona PS është në avantazh të dyfishtë. Ndaj edhe i takon opozitës, si pala më e interesuar, për ta udhëhequr dhe për ta përmbyllur me sukses dhe në favorin e saj reformën zgjedhore.
BINDJA DEMOKRATIKE angazhohet se do të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e saj në funksion të këtij qëllimi.

REFORMA ZGJEDHORE

Ne mendojmë se vendi ka nevojë për një reformë të thellë zgjedhore dhe, jo thjesht për ndryshime teknike në Kodin Zgjedhor, qofshin këto edhe zbatimi i përpiktë i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Reforma zgjedhore nuk do të kishte ndonjë efekt të madh, nëse nuk ndërhyhet fort në disa rrafshe të kornizës ligjore të Republikës së Shqipërisë. Ndaj edhe për këtë propozojmë:
A-Ndryshime në kushtetutë – për ndërrimin e sistemit politik, nga propocional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista preferenciale ose të hapura. Dobësimi i pushtetit të kryeministrit si dhe aplikimi i votimit të detyruar. Rikthimi i KQZ-së në organ kushtetues të depolitizuar.
B-Ndryshime në Kodin Zgjedhor – për të përfshirë atje kryesisht, por jo vetëm, rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat janë bërë stivë tashmë që nga zgjedhjet e vitit 2013.
C-Ndryshime në ligjin “Për partitë politike” – për të vendosur rregulla të reja dhe të forta lidhur me funksionimin, financimin, organizimin dhe zgjedhjet e brendshme të tyre.
D-Ndryshime në Kodin Penal – për të vendosur masa më të rënda ndëshkimore për të gjitha krimet zgjedhore, që nga votuesit e thjeshtë, personat që administrojnë zgjedhjet, e deri tek subjektet politike.
E-Ndryshime në ligjin “Për administatën publike” – për të garantuar paprekshmërinë e administratës publike nga ndryshimet politike, duke përcaktuar qartë rolin dhe vendin e saj gjatë fushatave dhe proceseve zgjedhore.
F-Ndryshime në ligjin “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” – të cilat të sigurojnë, jo vetëm konsensusin politik mes pozitës dhe opozitës, barazinë e palëve në zgjedhje, por edhe një administrim më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri.
G-Hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet – për t’i dhënë mundësi qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e demokracisë direkte, duke çliruar pengesat e qëllimta në Kodin Zgjedhor, që e bëjnë praktikisht të pamundur sot mbajtjen e referendumeve.

SISTEMI POLITIK, PROPORCIONAL KOMBËTAR ME LISTA TË HAPURA

Shqipëria duhet të ndahet një ditë e më parë nga kryetarokracia, sepse ajo është baza e rritjes së autoritarizmit dhe shndërrimit të pushtetit politik në një përbindësh në duart e vetëm 3 apo katër personave, ku kryeministri kryeson në distancë të madhe me të tjerët.
Është evidente se ky sistem favorizon qartazi dhe që në start dy partitë kryesore, dhe sikur kjo të mos mjaftonte, brenda tyre rrit në mënyrë të frikshme pushtetin e kryetarëve, të cilët e kanë keqpërdorur atë. Kjo ka sjellë që në Shqipëri praktikisht të mos ketë zgjedhje, por votime, pasi qytetarët nuk kanë të dorë të zgjedhin, por thjeshtë të votojnë për të emëruarit e kryetarëve.
Ka një konsensus shumë të madh në shoqërinë shqiptare, që e konsideron sistemin politik si përgjegjësin kryesor për krizën politike, për zgjedhjet problematike dhe për deformimet e rënda në jetën institucionale të vendit. Dhe natyrisht ka një rezistencë të fortë nga përfituesit kryesorë e tij, të cilët, në rastin më të keq, do të përlesheshin deri në fund për ta dështuar prapë reformën zgjedhore, ndërsa, në rastin më të mirë, do të ishin të prirur për të votuar vetëm aspektet teknike, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
Aktorët politikë dhe publikë në Shqipëri mund të mos jenë në një mendje dhe mund të diskutojnë gjatë se cili mund të jetë sistemi i duhur politik për ne, por nuk kanë pse harxhojnë kohë dhe energji fare për të rënë dakord se ky që kemi nuk bën. Sepse vendi sot është në kolaps të plotë dhe në një gjendje gati parapolitike, me qeverinë që po zvarritet, me opozitën që ka braktisur gati të gjitha institucionet, dhe me Presidentin e Republiks në procedurë shkarkimi nga parlamenti. Nuk mendojmë se ka më shumë nevojë se kaq që të bindemi se sistemi ynë politik ka rënë.

Po pse proporcional kombëtar me lista preferenciale, si më i përshtatshmi për Shqipërinë?

Sepse zgjidhen shumë problematika njëherësh, të cilat do ta çlironin mjedisin politik shqiptar nga tendosja e fortë, që ka shkaktuar kriza politike. Do të prodhonte më shumë demokraci dhe më shumë stabilitet për vendin. Do të zbuste në mënyrë drastike arrogancën e pushtetit dhe do t’i detyronte drejtuesit politike ta kërkonin kompromisin si në raport me partnerët apo me kundërshtarët, ashtu edhe brenda partive të tyre. Do të barazonte fuqinë e votës së çdo qytetari shqiptar dhe do t’i jepte më shumë vlerë asaj, por do t’i bënte më të përgjegjshëm dhe më të lirë të zgjedhurit prej tyre.
Shembulli më i mirë që kjo gjë funksionon ishte Kosova. Zgjedhjet atje u zhvilluan vetëm pak kohë pas 30 qershorit tonë. Diferencat me Shqipërinë janë spektakolare.

RREGULLA DHE SANKSIONE TË FORTA PËR FUNKSIONIMIN, FINANCIMIN DHE ZGJEDHJET E PARTIVE POLITIKE

Sipas Institutit të Studimeve Politike, pothuajse të gjitha partitë në Shqipëri janë në shkelje flagrante të ligjit, sepse nuk raportojnë në gjykatë, as dokumentacionin më elementar për ndryshimet dhe zbatueshmërinë e statutit të organizatës.
Praktikisht, në partitë tona kryesore, por edhe në ato më të voglat, ka humbur gati krejtësisht koncepti i votës dhe i konkurrencës së brendshme. Disa prej tyre nuk bëjnë zgjedhje fare, ndërsa në të tjerat ato zhvillohen fiktivisht, përmes shkeljeve të rënda dhe flagrante, ngaqë fituesi është i paracaktuar.
Është keqkuptim i madh që deformimi i votës ose proceset e manipuluara të zgjedhjeve në partitë tona konsiderohen si çështje të brendshme të tyre, pa shumë rëndësi për publikun. Ndërkohë, janë të njëjtat parti tundin që gjithë dynjanë pastaj kur vijnë zgjedhjet politike, sepse pretendojnë se u vjedh votat kundërshtari. Kjo vjen ngaqë patitë tona trajtohen si ndërmarrje private, ndërkohë që duhet të jenë dhe të sillen si si institucione publike.
Ligji “Për partitë politike duhet të vendosë rregulla të qarta duke e forcuar kontrollin dhe sanksionet për funksionimin, financimin dhe zbatimin e rregullave të brendshme në tyre, sidomos për zgjedhjet. Duhet gjetur patjetër një mënyrë që t’i detyronte ato që të zbatonin ca rregulla elementare për një garë të pranueshme. Ndoshta një KQZ e depolitizuar mund të ishte një zgjidhje.
Kjo do të rriste përgjegjësinë dhe do të zvogëlonte arbitraritetin në vendmarrje si dhe do të krijonte një kulturë të shëndoshë publike për të gjithë shoqërinë, e cila do të refektohej pa asnjë dyshim në zgjedhjet parlamentare apo ato vendore, por edhe në cilësinë e institucioneve të shtetit, që furnizohen me drejtues dhe zyrtarë prej partive politike.
Të mos harrojmë se në Shtetet e Bashkuara zgjedhjet preleminare brenda partive janë po aq të vlefshme dhe të rëndësishme për të gjithë amerikanët sa edhe ato mes rivalëve kundërshtarë.

RRËZIMI I “PATHYESHMËRISË” SË KRYEMINISTRIT NË PARLAMENT DHE QEVERI TEKNIKE PARA ZGJEDHJEVE

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e forcuan shumë pozitën e kryeministrit, duke e bërë atë pothuajse të parrëzueshëm në parlament. Në rastin mocioni mosbesimi ndaj shefit të ekzekutivit, nismëtarët janë të detyruar që të propozojnë njëkohësisht një kryeministër të ri, gjë që e bën praktikisht të pamundur suksesin për ta rrëzuar në parlament qeverinë. Po ashtu, në rast mocioni besimi, kryeministri e çon vendin direkt në zgjedhje, duke i dhënë atij një pushtet shumë të fortë në raport me parlamentin. Argumenti që këto ndryshime do t’i shërbenin stabilitetit politik të vendit nuk qëndrojnë, sepse përvoja 11 vjeçare ka treguar se ato u keqpërdorën.
Privilegjet kushtetuese për shefin e qeverisë duhet të hiqen, në mënyrë që, në rast se kryeministri rrëzohet me mocion, parlamenti të ketë mundësinë të krijojë një shumicë të re, siç e kanë pothuajse të gjitha vendet demokratike të botës.
Ndërkohë, të sanksionohet në kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor që 100 ditë para zgjedhjeve kryeministri jep dorëheqjen dhe vendi drejtohet nga një qeveri teknike. Një gjë e tillë do të rrisë besueshmërinë procesit dhe do t’i japë fund debatit mes mazhorancës dhe opozitës për rolin e kryeministrit në manipulimin e zgjedhjeve.
Në mënyrë që të shmangen kundërshtitë mes palëve për emrin e kryeministrit teknik, të caktohet paraprakisht një funksionar i lartë, që kryen përkohësisht funksionet e drejtimit të qeverisë tranzitore, fjala vjen kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

KUFIZIMI I MANDATEVE TË KRYEMINISTRIT (OPSIONALE)

Përvoja gati 30 vjeçare e tranzicionit në Shqipëri na ka mësuar se kufizimi është i vetmi element frenues, që mund ta zbusë ambicien e politikës për të zgjeruar pushtetin e vet. Dhe që prej vitit 1998, kur u miratua në mënyrë të njënashmme kushtetuta, ne e kemi të identifikuar edhe me ligj kryeministrin si bartësin më të madh të pushtetit në këtë vend.
Nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për kombin, në rast se mandatin e shefit të qeverisë e kufizonim, në jo më shumë se dy herë. Shembulli i Amerikës është mëse i mjaftueshëm për ta konsideruar si një histori botërore suksesi, që praktikohet prej mëse 200 vjetësh.
Kjo do ta detyronte politikanin që të përgatitej edhe për të lënë detyrën, madje duke projektuar edhe pasardhësin e vet dhe duke e bërë të detyrueshëm qarkullimin e elitave në partitë apo koalicionet qeverisëse. Njëkohësisht, kufizimi i mandateve do ta zbehte në një masë të konsiderueshme prirjen dhe babëzinë e të parëve në Shqipëri për të kontrolluar gjithçka dhe mundësisht përgjithmonë.
Problemi i këtij propozimi do të ishte fakti se është një praktikë që nuk ekziston në asnjë vend të Europës, ndaj do të ishte e vështirë që të gjente përkrahje. Por ai ka parasysh kushtet shumë specifike të Shqipëri dhe krizën e thellë politike të saj.

VOTIMI I DETYRUESHËM DO TA RRISTE PRESIONIN E QYTETARIT MBI QEVERINË DHE MBI POLITIKËN NË PERGJITHËSI

Në kushtet e rritjes së depresionit që vjen nga pamundësia e zgjedhësve për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe sidomos nga pafuqia për të ndryshuar systemin e mbyllur të partitokracisë, votimi i detyrueshëm mund të ishte lehtësues. Kjo do t’i jepte fund debatit për qeverisje arrogante të pakicës, që kulmoi sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale. Por mbi të gjitha do ta ulte shumë sigurinë e të mëdhenjve se janë të pathyeshëm dhe të pakonkurrueshëm, sepse logjika e do që do të futej në fushë zgjedhësi i fjetur, që e ka bëre zakon të mos votojë, kryesisht për shkak të zhgënjimit të pësuar prej tyre.
Praktikisht, në kushtet e mungesës së të mërziturve nga politika në zgjedhje, qeverisjen e përcaktojnë kryesisht militantët e partive, të cilët janë pjesa më e infektuar e shoqërisë nga sëmundjet e tranzicionit. Natyrisht, nuk e kanë ata përgjegjësinë për këtë, por ata që lëvizin fijet e këtij sistemi të kalbur.
Ndërkohë, futja në zgjedhje e të gjithë korpusit elektoral të vendit do të inkurajonte shumë krijimin e formacioneve të reja politike, të cilat sistemi aktual i frenon apo i penalizon që në lindje. Kjo do të shtonte ofertat politike në treg dhe mbi të gjitha do të rriste shumë konkurrencën, duke i detyruar sulltanët e sotëm të partive të mëdha që të nxisin dhe të promovojnë më të aftët brenda organizatave të tyre politike. Por mbi të gjitha, do të minimizonte në maksimum shitblerjen e votës, e cila në një masë të madhe të saj aplikohet në formën që kundërshtarët politikë të mos shkojnë për të votuar kundrejt pagesës.
Aplikimi i tij duhet të shkojë paralelisht me votimin e emigrantëve, një çështje sensitive dhe e pazgjidhur, e cila rikthehet dhe premtohet sa herë ka zgjedhje në Shqipëri.
Kjo natyrisht që do të ndizte debatin, nëse kjo masë do të ishte demokratike ose jo, por fakti që e kanë disa vende te BE, ndërkohë që Shqipëria ka shumë më tepër nevojë se ato, besojmë që është argument i mjaftueshëm për ta kapërcyer. Të mos harrojmë, se jemi vendi i vetëm në kontinent, që ka një ligj për dekriminalizimin e politikës dhe jo ndonjë kampion i lirive dhe i demokracisë, që t’i trembemi një debati për votimin e detyruar.
Ky propozim nuk ka lidhje me bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit prej partive kryesore të opozitës, sepse mendojmë se ai ishte një rast unikal, që nuk do të përsëritet më kurrë.

TRANSPARENCA E FINANCIMEVE DHE ULJA E KOSTOS SË FUSHATAVE

Marrëveshja e famshme e 17 majit 2017 është e gjitha për t’u harruar, për shkak të vendimeve që mori dhe mënyrës se si u arrit. Madje me këtë përfundim janë dakord edhe dy protagonistët, të cilët e kanë pranuar publikisht që ajo ishte një gabim. Por e vetmja pikë pozitive e saj mund të konsiderohet kufizimi i shpenzimeve për fushatën zgjedhore, një vendim që në fakt u motivua nga probleme specifike të atyre zgjedhjeve.
Nëse ajo frymë reduktimi do të ruhej për të gjitha zgjedhjet, jo domosdoshmërisht në termat e marrëveshjes së dikurshme, do të ishte një gjë pozitive. Sepse, mbi të gjitha do të zbuste diferencat e stërmëdha mes qeverisë dhe opozitës në start të procesit dhe do ta çlironte apo pengonte politikën nga borxhet paradhënie me biznesin dhe me botën e errët të krimit apo të informalitetit në proceset tona zgjedhore.
Fushatat tona janë shumë të kushtueshme, sepse mobilizojnë fonde të mëdha, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël deklarohet. Nëse kontrolli forcohet ndërkohë që shpenzimet kufizohen, mundësia e qarkullimit të parave të zeza në fushatat e zgjedhjeve tona do të zvogëlohej shumë. Është i njëjti parim, sipas të cilit ulja e taksave sjell më pak informalitet.
Ndërkohë, ligji duhet të ketë përcaktime të qarta për shpenzimet elektorale të deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe këshilltarëve, që duhet të kontrollohen nga një organ kompetent dhe i pavarur dhe duhet të shoqërohen me masa të ashpra, të cilat shkojnë nga gjoba të rënda, deri në heqje mandati.

DEPOLITIZIMI I ADMINISTRIMIT TË ZGJEDHJEVE DHE RIKTHIMI I KQZ-së NË ORGAN KUSHTETUES

Shqipëria do të jetë shumë larg zgjedhjeve të lira, që pretendon, nëse proceset zgjedhore do të vijojnë të administrohen nga militantët e partive. Është tashmë fakt i njohur botërisht se këta të fundit janë shndërruar në grabitës profesionistë dhe këtë “aftësi” e kanë demonstruar në shumë zgjedhje radhazi. Roli i tyre ka ardhur duke u rritur pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, pasi ata u përshtatën me shumë “profesionalizëm” me regjimin e kryetarokracisë.
Nga ana tjetër, është e padrejtë që përfaqësuesit e 3 apo 4 partive të numërojnë votat e gjithë të tjerave. Në disa procese radhazi është provuar qartë se ata i copëtojnë votat e më vegjëlve, të cilat i ndajnë midis tyre, mjafton që të mos prishen rreshtimet e koalicioneve.
Kjo armatë e kompromentuar komisionerësh dhe numuruesish janë shndërruar në një problem të madh edhe për vetë partitë që përfaqësojnë. Që do të thotë në një kosto të madhe edhe për vetë fituesit dhe humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve, që janë partitë kryesore në Shqipëri. Duke filluar që nga pagesa në dorë për një shërbim publik të shpërblyer sipas ligjit nga shteti, i cili konsiderohet fare i pamjaftueshëm, e deri tek privilegjet apo detyrimet politike ndaj tyre deri sa të vijnë zgjedhjet e radhës. Ka disa formula për kompozimin e komisioneve, por në të gjitha rastet ata që do të administrojnë zgjedhjet duhet të caktohen me short nga një korpus i gjërë me zyrtarë shtetërorë apo punonjës publikë. Depolitizimi do ta çlironte procesin nga kriza dhe konflikte të zakonshme politike dhe do t’i jepte atij besueshmëri më të madhe.

NUMURIMI I NJËKOHSHËM DHE NXJERRJA E SHPEJTË E REZULTATIT (VOTIMI ELEKTRONIK, MË I PREFERUARI)

Numërimi i njëkohshëm i votave duhet të jetë kushti i parë për të pasur zgjedhje normale edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë rajonin. Ka dy mënyra për ta zgjidhur këtë, me numërim elektronik ose me numurim në qendrat e votimit. Ne do të preferonim votimin elektronik me identifikim biometrik të zgjedhësit, si më i sigurt dhe më i pamanipulueshëm, por edhe kthimi, siç ka qenë përpara vitit 2000, do të ishte gjithësesi një zgjidhje më e mirë.
Votimi dhe numurimi elektronik do të reduktonte shumë edhe debatin për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, pasi do të zvogëlonte interesin e partive për të pasur njerëzit e tyre atje.
Numurimi i zgjatur dhe jo i njëkohshëm i demotivon humbësit, të cilët e lëshojnë kontrollin mbi pjesën e mbetur të procesit dhe inkurajon ata që kanë fituar, të cilët e zmadhojnë thesin e votave të tyre, duke e deformuar shumë rezultatin.
Rasti më i freskët dhe më afër nesh ishin zgjedhjet e Kosovës, ku rezultati pothuajse final doli vetëm pak orë pas mbylljes së kutive të votimit. Ndërkohë që në zgjedhjet tona dalja e rezultatit kalon nëpër një kalvari të gjatë dhe cfilitës për të gjithë protagonistët e procesit.
SI PËRFUNDIM

Ky dokument është thjesht një koncept, i cili mund të plotësohet dhe të konkretizohet në terma juridikë, për të qenë më i plotë dhe i detajuar. Ne ftojmë të gjithë forcat politike dhe aktorët e tjerë të interesuar që të marrin pjesë në debatin për reformën zgjedhore, si një kontribut real për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Një kopje e këtij propozimi u dorëzua në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore.


TË NGJASHME