HomePolitikë

Reforma Zgjedhore/ Opozita sot në tryezën e OSBE-së

Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të ulen në tryezën e iniciuar nga OSBE/ODHIR, me maxhorancën dhe opozitën parlamentare për Reformën Zgjedhore.

Vendimi u mor dje në mesditë pas një takimi mes kryedemokratit Basha dhe kryetarëve të partive aleate. Aleatët mandatuan kryedemokratin Lulzim Basha për t’ia komunikuar vendimin e tyre ambasadorit të OSBE/ODHIR në Tiranë, Bernd Borchard. Ky i fundit takoi dje, rreth orës 15:00, kreun e opozitës në selinë blu.

Opozita e bashkuar vendosi që në tryezën për Reformën Zgjedhore të përfaqësohet në nivel teknik me Ivi Kason nga Partia Demokratike, Arjan Madhin nga Partia Republikane dhe Muharrem Caka nga LSI. Megjithatë, ata nuk do të përfaqësojnë partitë respektive, por opozitën në tërësi.

Mësohet se sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së, Ivi Kaso, do të mbajë një qëndrim politik, që është miratuar nga të gjithë kryetarët e partive të opozitës ditën e djeshme. Kaso do të paraqesë para OSBE-së dhe bashkëkryetarëve të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, pretendimet e tyre. Takimi i kësaj të mërkure do të shërbejë si indikator për opozitën që të masë seriozitetin e maxhorancës në angazhimin për zgjidhjen e krizës. Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse është vendosur përfaqësimi në nivel teknik dhe jo politik.

Sipas burimeve mes aleatëve ekziston një opinion se Reforma zgjedhore nuk është çelësi magjik që zgjidh krizën politike në tërësi.

“Ky është një sinjal që opozita nuk e ka braktisur Reformën Zgjedhore. Ky është një sinjal që jep opozita, e cila është e gatshme të bashkëpunojë për të zgjidhur kriza. Por kriza politike nuk zgjidhet përmes reformës. Ne duam të gjejmë zgjidhjen e madhe dhe pjesë e kësaj zgjidhjeje të madhe është Reforma Zgjedhore”, bëjnë me dije nga kampi opozitar.

FTESA

Pak ditë më parë, ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchard, nëpërmjet një letre që mbante firmën edhe të dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, ftoi PD-në dhe aleatët që të bëhen pjesë e tryezës së datës 25 shtator. I menjëhershëm qe edhe reagimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i cili, edhe pse e konsideroi provokim të rëndë prezencën e Gjiknurit, u shpreh se opozita i është përgjigjur pozitivisht edhe më herët ftesës së OSBE-së.

“Të gjithë e dimë se këtë krizë nuk e ka shkaktuar Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Raporti i OSBE/ODHIR është i qartë, ku hapet se fjalinë se korniza ligjore është plot, por mungon vullneti politik. Zgjidhja e krizës politike mund të vijë vetëm përmes vullnetit politik. Reforma Zgjedhore është shumë e rëndësishme, opozita ka përgatitur një draft prej dy vitesh. Ne u kemi dhënë një përgjigje përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe një përgjigje negative ka ardhur nga Rama. kështu që nuk jemi ne pengesa për një proces transparent parimor dhe gjithëpërfshirës të zgjidhjes së krizës. por Edi Rama”, tha Basha, më 18 qershor.

Ndërkohë, Basha iu përgjigj negativisht ftesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama në të njëjtën ditë për të njëjtin objektiv, Reformën Zgjedhore.


TË NGJASHME