HomeSport

Renditja e FIFA, Shqipëria dhe Kosova fitojnë pozicione

Pas ndryshimit të trajnerit, Kombëtarja Shqiptare ndryshoi edhe mënyrën dhe rezultatet e lojës. Pas rezultateve negative nën drejtimin e Christian Panucci, drejtimin e ekipit e mori Edy Reja që i dha një tjetër fytyrë lojës së ekipit. Pavarësisht se Kombëtarja ka qëndruar pushim fill pas sfidës kundër Moldavisë, ekipi kuqezi ka njohur përmirësim në përditësimin e fundit të bërë nga FIFA në renditjen e përgjithshme të ekipeve Kombëtare.

Shqipëria ka fituar dy pozicione, duke u renditur në vendin e 64-ët me 1362 pikë. Ndërkohë që dy rivalët e grupit të kualifikueseve të Europianit, Islanda dhe Turqia renditen përkatësisht në vendin e 36-të dhe 37-të, ndërsa Moldavia dhe Andorra renditen pas Shqipërisë.

Franca mbetet favoriti absolut në grupin H por “gjelat” e Deschamps kanë pësuar rënie në tabelën e klasifikimit duke humbur një pozicion. Kampionët e Botës renditen në vendin e 3-të me 1718 pikë, në vendin e dytë renditet Brazili ndërsa në krye vijon të qëndroj Belgjika.

Rritje me një pozicion ka edhe Kosova duke u renditur në vendin e 120.


TË NGJASHME