HomeSport

‘Revolucion’ te Kukësi, largime të shumta dhe stadium i ri

Edhe pse arritën të fitonin “Kupën e Shqipërisë”, në Kukës nuk ka kohë për festë. Është i përhershmi Reginaldo, që ka menduar të trazojë sërish situatën. Sulmuesi nga Mozambiku menjëherë pasi fitoi “Këpucën e Artë” dhe kupën, ka njoftuar largimin nga klubi verior. Sulmuesi, ishte një nga pikat e forta të ekipit të drejtuar nga Ernest Gjoka dhe largimi i tij është një humbje e madhe. Jo vetëm kaq, por pas largimit edhe deklaratat e futbollistit kanë qenë të mbushura plot mllef.


Reginaldo, ishte nga të paktët lojtarë që mund të bënte diferencën në fushë dhe ishte golashënuesi më i mirë i ekipit. Në këtë merkato, Kukësi nuk ka bërë ende asnjë afrim, por largimet janë të shumta. Veç Reginaldos edhe Gomis portieri i ardhur në formë huazimi nga Spal, si edhe Irakli Dzarias, janë të larguarit deri më tani.


Një tjetër lojtarë me valixhe në duar është edhe Ulliam Kordero, një nga lojtarët më përcaktues gjatë këtij sezoni, një “xhol” për çdo trajner që u ul në bankinën e Kukësit. Blerja më e madhe e nën kampionëve për sezonin e ri pritet të jetë stadiumi “Zeqir Ymeri”, një detaj që pati jo pak ndikim në ecurinë e Kukësit këtë sezon. Presidenti Gjici shprehet i bindur se stadiumi do të jetë gati për të rikthyer më në fund ekipin në shtëpi.


TË NGJASHME