HomePolitikë

Rezultatet/ Edhe disa votat nga diaspora shkuan…

zgjedhjet-kosove

Pas numërimit të afro 20 mijë votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje ka thelluar rezultatin.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ku nuk përfshiheshin votat me postë dhe ato me kusht, Vetëvendosje kishte 203 mijë e 52 vota, ndërsa tani kjo parti grumbullon gjithsej 215 mijë e 955 vota, duke iu shtuar edhe 5 mijë e 873 vota nga numërimi i deritanishëm i votave me kusht si dhe duke iu shtuar edhe 7 mijë e 30 vota nga votimi me postë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu ka pësuar ndryshim rezultati. Nga 197 mijë e 702 vota sa kishte kjo parti, tashmë LDK ka 203 mijë e 828 vota, kështu duke iu shtuar votat me kusht ku për LDK-në ishin 3 mijë e 968 si dhe ato më postë ku për këtë parti votuan 2 mijë e 158 qytetarë, shkruan Telegrafi.

Partia Demokratike e Kosovës po ashtu ka pasur rritje të përqindjes, pas numërimit të votave me postë dhe votave me kusht, nga 169 mijë e 211 sa kishte kjo parti, tashmë PDK grumbullon gjithsej 175 mijë e 438 vota, duke futur në llogaritje edhe 4 mijë e 88 vota të cilat i shtohen kësaj partie pas numërimit të votave me kusht si dhe 2 mijë e 139 nga votimi me postë.

Koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit kishte marrë 92 mijë 149 sipas rezultateve preliminare, ndërsa tani ky koalicion ka 95 mijë e 480 vota, duke iu shtuar 2 mijë e 776 vota nga numërimi i votave me kusht, si dhe 555 vota nga votimi me postë.

Ndryshim rezultati, po ashtu ka edhe koalicioni tjetër NISMA-AKR- PD, të cilët sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, nuk kishim mundur ta kalojnë pragun zgjedhor duke marrë vetëm 39 mijë e 495 vota, kurse tani ky koalicion ka 41 mijë e 431 vota. Duke iu shtuar edhe 1 mijë e 2 vota pas numërimit të votave me kusht si dhe 916 nga votimi me postë.

Procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta ka filluar gjatë ditës së djeshme.

Numri i votave me kusht në nivel vendi është rreth 26 mijë e 400, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2.150.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind./Telegrafi/


TË NGJASHME