HomePolitikë

Rezultati në Stamboll i papranueshëm/ AKP ankimon zgjedhjet

Rezultati tejet i ngushtë, në zgjedhjet e të dielës në Stamboll, ka bërë që partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan ta sfidojë rezultatin e paraqitur deri tani.

Duke cituar gazetën turke “Hurriyet”, agjensia e lajmeve “Reuters”, raporton se AKP-ja ka humbur tashmë garën në dy qytetet më të mëdha në Turqi, Stamboll dhe Ankara. Dhe kjo humbje surprizë e këtyre dy qyteteve mund të komplikojë akoma më shumë planet e Erdogan për të luftuar recesionin ekonomik.

Kandidati i AKP-së,  ish-kryeministri Binali Yildirim, është duke humbur me 25.000 vota diferencë kundrejt kandidatit të opozitës për Stambollin, Ekrem Imamoglu. Megjithatë, Binali Yildrim, pretendon se rezultati nuk është zbardhur akoma për shkak të parregullsive të hasura gjatë numërimit të 84 kutive të fundit.

“Do ta uroj Imamoglunë nëse fiton, – tha Yildirim, – por jo pa përfunduar i gjithë procesi i numërimit”.

Ndërkohë, në Ankara, banorët rrëfejnë pritshmëritë e tyre pas triumfit të opozitës.

Ensar Ogut, banor i kryeqytetit, tha: “Unë besoj se Mansur Javas mund ta kthejë Ankaranë në një qytet që mund të konkurrojë me kryeqendrat botërore, sepse në këtë moment, turizmi këtu është shumë dobët. Pa turizëm, zhvillimi i Ankarasë është i pamundur”.

“Për shkak të atyre që kanë ndodhur në Turqi, nuk ka shumë rëndësi kush e merr këtë post. Jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi dhe duhet ta pranojmë drejtësinë, pavarësisht çmimit me të cilin ajo vjen. Por ama, duhet të ketë drejtësi për të gjithë”, tha Fatih Oney, një tjetër banor.

Sipas ekspertëve, humbja e Stambollit është ajo që i dhemb më shumë Erdoganit. Stambolli është qyteti ky Erdogan u rrit dhe një fitore aty do të ishte si të ketë fituar gjithë Turqinë.


TË NGJASHME