HomeSport

Rikthim i bujshëm/ Lojtari i Kombëtares pranë rikthimit te Tirana

Andi Lila te Tirana? Kjo do të quhej një goditje e madhe për bardheblutë në këtë merkato. Veç supozimeve të shumta, mesa duket zërat për këtë transferim, nuk janë të kota. Lila, lojtar i Kombëtares dhe klubi 24-herë kampion i Superiores, janë shumë pranë marrëveshjes. Me shumë mundësi, pas riaftësimit, Lila pritet të veshë fanelën e Tiranës sezonin e ardhshëm.

Kjo lëvize në merkato, është diçka që pëlqehet nga të dyja palët, si nga futbollisti ashtu edhe nga klubi. Nëse do të kryhet me sukses ky transferim, atëherë në ekip, do të ishin tre futbollistë që luajnë në krahun e djathtë në të njëjtin pozicion. Megjithatë, Albi Doka mund të largohet nga Tirana. Mesfushori ka edhe një vit kontratë dhe klubi po përpiqet ta shesë në mënyrë që të mos e humbasë vitin e ardhshëm me parametra 0. Megjithatë, të gjitha këto lëvizje, duhet të konfirmohen gjatë merkatos.

E kaluara- Andi Lila ka luajtur në të kaluarën me skuadrën kryeqytetase, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. 33- vjeçari është një nga futbollistët që ka festuar titullin e fundit me 24 herë kampionët e Shqipërisë, në sezonin 2008-2009. Lojtari i Kombëtares ka luajtur tri sezone me bardheblutë nga 2009-ta deri në 2011-ën.

Ai ka qenë një nga futbollistët kryesor i bardhebluve, duke luajtur në më shumë se 78 takime, madje duke shënuar 11 gola. Shpeshherë Lila ka lënë të kuptohet se nuk e harron kollaj fanellën bardheblu, aty ku ka kaluar kulmin e karrierës, pasi fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, por edhe mbajti shiritin e kapitenit.

Madje, Andi Lila sapo u bë pjesë e skuadrës së Tiranës, fitoi edhe një vend në Kombëtare. Me kalimin e tij te Tirana, i përmbushet ëndrra për të mbyllur karrierën si bardheblu.


TË NGJASHME