HomeSociale

Rindërtimi i banesave individuale, Ahmetaj: Janë në proces 3400 të tilla

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, ishin sot në Kodër Kashar, ku rindërtimi i banesave individuale ka filluar.


Ahmetaj theksoi se ka filluar me ndërtimin e shtëpive individuale në Tiranë dhe në 10 bashki të tjera, ku janë rreth 3400 shtëpi individuale dhe loti i madh i pallateve që janë në proces prokurimi dhe ndërtimi.

“Tërmeti erdhi nga Zoti, por gjithë mbështetja po vjen nga kryeministri dhe qeveria, që gjendet edhe në ditë të vështirë, sepse në ditë të mira të gjithë bëjnë sikur punojnë, puna është kush të gjendet në ditë të vështirë. Po bëhet realitet në të gjithë zonën e dëmtuar, ku po mbajmë fjalën për çdo qytetar që është dëmtuar. Këtu për rreth 20 ditë, ju do të futeni te shtëpia e re. Nuk është thjesht fjalë e mbajtur, por është një aksion shpirtëror për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se në zonën e Kodër Kasharit, procesi i rindërtimit po ecën me shpejtësi.

“Sot vizituam disa nga shtëpitë e dëmtuara të kësaj zone. Janë banorë midis mijëra familjeve që po përfitojnë nga procesi i Rindërtimit. Procesi i Rindërtimit është në një fazë shumë të avancuar. Kemi filluar me shtëpitë individuale në Tiranë dhe jashtë Tirane, në 10 bashki të tjera. Në ditët në vijim do të vizitojmë Shijakun, Maminasin, Kavajën”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se “janë gati 3400 shtëpi në proces prokurimi dhe ndërtimi si këto që pamë, ndërkohë që qoftë në Tiranë, qoftë në zonën jashtë Tirane, në 10 bashkitë e tjera, është në proces prokurimi i gjithë loti i madh i pallateve”.

“140 milionë dollarë në zonën e Tiranës në dy poliqendrat, “5 Maji” dhe Kombinat. Në javën e parë të tetorit do të fillojmë themelet në këto territore. E njëjta gjë do të ndodhi në territorin jashtë bashkisë së Tiranës, në bashkitë e tjera ku në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të hapim themelet e pallateve në të gjitha zonat e tjera”, tha Ahmetaj.


TË NGJASHME