HomePolitikë

Roma lobim në Bruksel për ulje të tensioneve me Moskën

Qeveria euroskeptike e Italisë po shtyn për një ulje të tensioneve midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, por rrezikon izolimin në Bruksel, pasi partnerët e BE kërkojnë masa më të forta për të penguar Moskën nga ndërhyrja në çështjet e unionit.

Rusia i është nënshtruar sanksioneve të BE që nga kriza e Ukrainës në 2014-ën dhe Roma ka kërkuar prej kohësh një zbutje të dënimeve, për shkak se ato kanë goditur firmat italiane që kooperojnë me Moskën.

Në një shtysë të re pro-Rusisë, Italia u bëri thirrje partnerëve të BE-së, të mbështesin një plan për të kanalizuar paratë e BE-së për firmat e vogla ruse, që operojnë në sektorët që nuk mbulohen nga sanksionet ekzistuese të BE mbi bankat, mbrojtjen dhe industrinë e energjisë.

Kjo iniciativë i parapriu një takimi dy-ditor të krerëve të BE që filli po gjatë ditës së djeshme në Bruksel. Roma gjithashtu po i kundërvihet propozimeve të BE-së për të imponuar sanksione ndaj vendeve që kryejnë sulme kibernetike, në një masë tjetër që shihet si në favor të Moskës.

Diplomatët thanë se regjimi i ri i sanksioneve të BE do të kishte për qëllim kryesisht Rusinë, e cila ka qenë në muajt e fundit në qendër të akuzave për ndërhyrje zgjedhore nëpërmjet mediave sociale në shtete të ndryshme perëndimore, si dhe luftëra kibernetike dhe shkelje të sigurisë të kryera përmes mjeteve elektronike.

Italia ishte i vetmi vend anëtar i BE që kundërshtoi hapur regjimin e ri të sanksioneve, sipas një dokumenti konfidencial të BE-së./tch


TË NGJASHME