HomePolitikë

Rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit, zbardhen detaje nga Kuvendi

Sot në orën 11:00 në Kosovë është mbajtur seanca për votimin e mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Albin Kurtit. Ky mocion është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që është partner i Lëvizjes Vetëvendosje në Qeveri.

Ngritja e mocionit erdhi pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike Agim Veliu.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, përmes një postimi në “Twitter”, ka mbështetur vendimin për mbajtjen e seancës së parlamentit të Kosovës për të shqyrtuar mocionin për votëbesimin ndaj qeverisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave.

Mocioni për mosbesim të Qeverisë është mbështetur nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate .

Kriza politike në Kosovë vjen pikërisht në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosovën, po përballen me luftën kundër koronavirusit të ri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se “ky parlament ju ka zgjedhë, ky parlament ju shkarkon”.

“Ju vetëm i konfirmuat ato që i thashë. Në betejën tuaj për protagonizëm me presidentin, keni humbur arsyen. I nderuari kryeministër Kurti, mjaft më. Boll, ndaluni. Mania juaj për dominim politik përfundon këtu, në këtë parlament. Ky parlament ju ka zgjedhë, ky parlament ju shkarkon”, ka thënë Gashi.

Më tej Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Konjufca që ta publikojnë marrëveshjen e fshehtë të Kosovës me Serbinë. Gashi ka deklaruar se do të jetë i pari ai që do të votojë kundër.

“Një element që po më duket shumë shqetësues, ju po i referoheni një marrëveshjeje për të cilën unë as ma të voglën ide s’e kam për marrëveshjen që po flisni, na bindni që është e rrezikshme, silleni në Kuvend. Publikoni ato fakte, je kryeministër, je ministër i Jashtëm keni përgjegjësi, jo vetëm fjalë, publikoni cilat janë ato fakte, unë i pari kam me e votu kundër”, tha Gashi.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në fjalën e tij sot në Kuvendin ka thënë se s’ndodh askund në botë që një Qeveri ta rrëzojë veten në një situatë të tillë.

Limaj ka theksuar se gjendja aktuale politike është për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe lidershipit, duke i thënë Kurtit se kriza politike është vetëshkaktuar nga dy partitë në koalicion.

“Nuk ka me mbrojtë Kosovën një njeri. Kurrë Kosovën s’ka me mbrojtë një njeri apo një parti politike. Nëse s’punojmë bashkë kemi me dështu. Nuk është mirë që me paralajmëru gjakderdhje në veri”, ka shtuar Limaj.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kurti e ka pranuar se e ka hequr taksën pas bisedës që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Në twittin për bisedën me kancelaren Merkel e ke pranuar shprehimisht që e ke hequr taksën. Sot s’ki as taksë as reciprocitet e as mbështetje”, ka thënë Haradinaj.

Më tej, si kundërpërgjigje për Kurtin i cili tha se e lëshuan flamurin e bajraktarit për Çakorrin sapo erdhën në pushtet, Daut Haradinaj ka thënë se për patriotizëm u jep shkollë të gjithëve.

“Për patriotizëm personal, shkollë ju mbaj tanve. S’u vallëzoj Gadafëve. Sen s’i kam dhanë, çka jam në gjendje me i dhanë këtij vendi. Z. kryeministër, mos më fyej se jam ma i zoti se ti 1000 herë. Munesh me iu zgërdhi Brnabiqit. Munesh me pasë edhe mashtrues brenda partisë që s’e kanë bërë asnjë lëvizje për kufijtë. Jam ushtar i Albin Kurtit në mbrojtje të çdo milimetri të Kosovës. Pallavra dikush që ka vallëzu poshtë e naltë s’ka nevojë me m’kallëzu”, ka potencuar Haradinaj

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka thënë se kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më jetëshkurtër. Ndër të tjera ai theksuar se sot Kosovës po ballafaqohet me dy viruse: COVID-19 dhe virusin e ashtuquajtur “koalicionin e shpresës”, i cili sot po ikën.

“Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më jetëshkurtër. Kuvendi i Kosovës sot do t’i japë epilogun e vet”

Ndërsa nga ana tjetër juristi Dastid Pallaska ka kritikuar sot Albin Kurtin duke thënë se “do të duhej të shkonte deri në hënë për të marrë vesh nëse ka një marrëveshje të dëmshme për Kosovën”. Me anë të një postimi në “Facebook” Pallaska tha se një Kryeministër i aftë dhe i guximshëm do ta kundërshtonte një marrëveshje të tillë nga pozita e tij kudo, para çdokujt dhe në çdo kohë.

“Vetëm një Kryeministër popullist e braktisë pozitën e vet – duke prishur qëllimisht koalicionin qeverisës – dhe me oratori mundohet të mbulojë mungesën e aftësisë dhe guximit për t’i shërbyer vendit në një moment testimi”, ka shkruar ai.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME