HomeSociale

Rrjeti i drogës/ Në pranga edhe ‘shefi’

Pas goditjes së grupit të trafikut të drogës në drejtim të Gjermanisë, është arrestuar edhe personi që konsiderohet si “shefi”, 33-vjeçari Leonard Duka.

Edhe ky person nuk është i panjohur për Policinë e Tiranës. Ai bashkë me vëllain e tij ishin shpallur në kërkim 2 vite më parë nga Policia, pasi dyshohet se kanë plagosur shtetasin Eduard Duka, 34 vjeç, ngjarje e ndodhur më 20 mars të vitit 2017.

Një ditë pas ngjarjes, Policia e shpalli në kërkim Dukën dhe që prej atëherë nuk ishte arrestuar. Pavarësisht mbiemrit Duka, autorët dhe i plagosuri nuk kishin lidhje farefisnore midis tyre.

Policia bëri me dije në atë kohë se i plagosuri kishte marrë dy plumba në krah, ndërsa ndaj tij është qëlluar 3 herë me një pistoletë të kalibrit 7.65 milimetër. Vetë 34-vjeçari pati pohuar nga Spitali i Traumës se nuk ka probleme me persona të tjerë, përveç dy vëllezërve me të cilët ishte konfliktuar fizikisht më datë 8 shkurt të vitit 2017.

Në momentin që ndodhi ngjarja, Duka ndodhej në shoqërinë e dy personave. Autorët kanë qëlluar nga makina në drejtim të tij, më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Burimet thanë se edhe kjo ngjarje është hetuar nga Komisariati Nr.4, por pa arritur të ndalohen të dyshuarit. Sherri kishte nisur në një lokal, ku ndodheshin i plagosuri dhe dy të dyshuarit, të cilët para atij momenti kishin pasur miqësi me njëri-tjetrin.

Për një fyerje kishte nisur gjithçka dhe të tre personat ishin përfshirë në një konflikt të ashpër fizik, duke goditur njëri-tjetrin me grushte. “Shtetasit e shpallur në kërkim me shtetasin e dëmtuar, më parë kanë pasur një konflikt midis njëritjetrit dhe konkretisht më datë 8 shkurt 2017, konflikt i cili është trajtuar nga Komisariati Nr 4. Po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale ‘Vrasje me paramendim, mbetur në tentativë, në bashkëpunim’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit’”, bënte me dije Policia e Tiranës në atë kohë.


TË NGJASHME