HomeSport

Rrogat e prapambetura, Flamurtari paditet në FIFA

Flamurtari edhe këtë fazë përgatitore e ka nisur me vonesë, ose më mirë të themi nuk e ka nisur ende. Drejtuesit e vlonjatëve kanë bërë vetëm dje njoftimin e grupit, duke pritur të nisin me përgatitjet ditën e sotme në Vlorë. Në të tilla kushte, ende nuk dihet nëse do të mbërrijnë të gjithë lojtarët që mbyllën vitin 2019, kjo si shkak edhe i pagave të prapambetura. Flamurtari gjatë gjysmës së sezonit ka dhënë një ose dy rroga, duke bërë që klima të jetë negative.

Ditën e djeshme u mësua se administratori Sinan Idrizi kishte arritur marrëveshje me trajnerin Marcelo Troisi për pjesën e mbetur të sezonit. Braziliani është një njohje e vjetër e kampionatit tonë, pasi në të shkuarën ka drejtuar edhe Kukësin, Laçin dhe Bylisin. Afrimi i tij në stol ka sjellë edhe qëndërmbrojtësin 25 vjeçar Bruno Lipi, që ka qenë më herët nën urdhrat e Troisit.

Në Vlorë duhet të bëjnë edhe me paditë që vijnë në drejtim të klubit. Si shkak i pagesave të pashlyera, mesfushori Semir Bajraktareviç u largua i pari nga Vlora, duke i paraprirë tre lojtarëve të tjerë. Boshnjaku e ka paditur Flamurtarin në FIFA për mos marrjen e pagave dhe pritet që çështja të zgjidhet në organin më të lartë të futbollit botëror. Nëse nuk zgjidhen këto çështje, Flamurtari rrezikon seriozisht zbritjen e pikëvë (6 aktualisht) dhe zbritjen një kategori më poshtë.


TË NGJASHME