HomePolitikë

Rruga ballkanike e emigrantëve, Italia merr masa

Italia ka kërkuar një impenjim më të madh  të vendeve në të cilat kalon rruga ballkanike, për të kontrolluar kufirin tokësor e penguar emigrantët klandestinë të mbërrijnë në Itali.

Autoritetet italiane shprehin preokupim për rinisjen e fluksit të emigrantëve klandestinë që nëpërmjet rrugës ballkanike mbërrijnë në Itali.

Pasi zbarkojnë në Greqi, emigrantët klandestinë përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës e Sllovenisë futen në rrugë tokësore në territorin italian.

Shifrat zyrtare flasin për një dyfishim të numrit të tyre në krahasim me një vit më parë.

Nëse më 2019  fluksi i emigrantëve nga Afrika që përmes Mesdheut mbërrijnë në brigjet italiane, ka shënuar në krahasim me një vit më parë një reduktim të ndjeshëm deri në -85%, krejt ndryshe prezantohet situata e lëvizjes së emigrantëve klandestinë përmes rrugës tokësore të Ballkanit.

Fakt ky që ka detyruar autoritetet italiane e sllovene të hartojnë një marrëveshje për një patrullim të përbashkët të kufirit mes forcave policore sllovene e atyre italiane.

Patrullat policore italo-sllovene kanë nisur punën në ditët e para të muajit korrik e do të vazhdojnë deri më 30 shtator. Do të lëvizen përgjatë gjithë kufirit tokësor në 4 patrulla javore e kanë si objektiv reduktimin e numrit të emigrantëve klandestinë që lëvizin përmes Ballkanit.

Sipas të dhënave zyrtare nga fillimi i vitit 2019 e deri më sot janë 5036 emigrantë të cilët kanë përdorin kufirin tokësor me Slloveninë për të hyrë ilegalisht në Itali. Ndërsa në gjithë vitin 2018 numri i tyre ishte vetëm 3612.

Në Ministrinë e Brendshme Italiane sot (5 korrik 2019), Ministri Slavini është takuar me autoritetet lokale të rajonit Friuli Venezia Giulia në territorin e të cilit ndodhet dhe kufiri me Slloveninë e ka premtuar një rritje të numrit të forcave të policisë në këtë rajon.

Gjatë orëve të fundit policia italiane ka shkatërruar një grup kriminal i drejtuar nga shtetas pakistanë të cilët merreshin me organizimin e trafikut të emigrantëve klandestinë e që paguanin rreth 2000 euro për të hyrë përmes Ballkanit në Itali.

Në takimin e zhvilluar në Romë me autoritetet policore të vendeve ballkanike mes të cilëve Shqipëria, kreu i policisë italiane Franko Gabrielli përcolli tek homologët e tij shqetësimin e rrugës ballkanike të emigracionit klandestinë


TË NGJASHME