HomePolitikë

Rumunët votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ri

Në Rumani mbahen sot zgjedhjet presidenciale, ku kandidojnë 14 kandidatë. Në sondazhe thuhet se shansat më të mëdha për fitore ka presidenti aktual Klaus Iohannis.

Klaus Iohannis në sondazhet e fundit të Institutit IMAS ishte në epërsi me 45,7 % të votave. Ai mbështetet në zgjedhjet presidenciale nga partia qytetare PNL. Kjo parti është në pushtet prej javës së kaluar, pas votës së mosbesimit ndaj qeverisë së ish-kryeministres Viorica Dancila.

Vendvotimet do të mbyllen në ora 20, ndërsa pak më vonë do të jepen prognozat e para. Por rezultatet zyrtare priten të hënën. Të drejtën e votës në Rumani kanë rreth 18,2 milionë qytetarë, ndërsa në zgjedhje kandidaojnë 14 persona. Pritet që asnjë prej kandidatëve të mos fitojë shumicën absolute, që është e domosdoshme për t’u zgjedhur president. Balotazhi do të mbahet (nëse ka nevojë) me 24 nëntor.

Pesë kandidatë me shansa reale

Shansa për fitore në zgjedhjet presidenciale në Rumani kanë përveç presidentit aktual edhe katër kandidatë tjerë. Ndër ta është edhe aktori i njohur Mircea Diaconu. Në sondazhet e fundit thuhej se ai mund të fitojë rreth 16,7 % të votave. Në vendin e tretë në sondazhe është socialdemokratja e rrëzuar nga pushteti, ish-kryeministrja Viorica Dancila me 15,1 %. Mendohet se në rast humbje të Dancila do të vazhdojë tatëpjetën politike edhe partia e saj deri tani shumë e fuqishme PSD. Kandidatët e tjerë Dan Barna nga partia ekologjiste dhe Alexandru Paleologu nga partia e vogël qytetare PMP kanë më pak shansa për balotazh.

Qeveria e Orbanit pa shumicë

Kabineti i ri qeveritar i krijuar të hënën e kaluar nuk e ka shumicën për qeverisje. Ndaj kryeministri i ri Orban, nga partia e dikurshme e presidentit Iohannis PNL, do të ketë probleme me qeverisje, pavarësisht nëse do të ketë apo jo mbështetjen e BE në realizimin e reformave në drejtësi. Ndaj është e mundur që në Rumani së shpejti të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

/DW/


TË NGJASHME