HomeLajme

Sa mundësi ka për një takim Rama-Basha

Kryeministri Edi Rama i bëri ftesë publike kryedemokratit Lulzim Basha për dialog. Rama pyeti gjatë samitit të dytë të Diasporës, Lulzim Bashën se kur do flisnin? Por një takim mes Ramës dhe Bashës duket i vështirë, të paktën tani për tani. E para jo përpara protestës së madhe të paralajmëruar nga opozita më 16 mars, përpara Kryeministrisë.

Nëse do të ndodhte një takim përpara kësaj date, të shumtë do të ishin mbështetësit e opozitës që do braktisnin Bashën pasi prej kohësh i thërret në protesta për të rrëzuar Edi Ramën e për të krijuar një qeveri tranzitore, që sipas kryedemokratit do krijonte një klimë të favorshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar të ditëve të fundit, Lulzim Basha e ka theksuar se nuk do të ketë një tjetër marrëveshje si ajo e 2017.

“Unë jam me shumë besim se këtë proces opozita, bashkë me qytetarët, do ta çojnë në fund. Kur them bashkë me qytetarët, kam parasysh, jo vetëm ata që na mbështesin ne dhe na votojnë ne, por edhe socialistët e ndershëm, që u ka ardhur në majë të hundës zgjedha e krimit të organizuar në institucionet shtetërore dhe brenda partisë së tyre. Nuk ka asnjë komunikim midis meje dhe Edi Ramës. Komunikimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë, vendimi i vetëm është ai që kanë diktuar qytetarët shqiptarë”, deklaroi Basha pas takimit me eurodeputetët që mbërritën në Tiranë, duke theksuar se Rama përfitoi nga marrëveshja e 17 majit.

Por edhe ftesa e Ramës duket se kishte një pikëpyetje. Njësoj si në 2017, Rama kërkoi takim me Bashën, duke lënë mënjanë opozitarët e tjerë, që dhe ata kanë peshën e tyre në aksionin e nisur. Por në politikë ekziston një shprehje: Kurrë, mos thuaj kurrë!/ Opinion.al


TË NGJASHME