HomePolitikë

Salianji: Kryebashkiaku i Bulqizës duhet të shkarkohet

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla dhe akuzat për përfshirjen e tij në një video duke konsumuar kokainë në ambient publik.

Në studion e News24, Salianji tha se PD ka denoncuar vazhdimisht raste të tjera të tmerrshme që tregojnë llumin ku është futur qeveria. Ai tha se kryebashkiaku i Bulqizës duhet të shkarkohet dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka vendosur drejtësinë në kthetra për të mbrojtur kriminelët.

“Nuk duhet t’i hyhet diskutimit nëse mediat apo jo kanë të drejtë por si zgjidhet ky kancer i madh që PS dhe rilindja e kanë hapur në gjithë Shqipërinë.
Deri tani është i gjashti kryetar bashkie dhe janë kryetarë bashkie që janë emëruar nga Rama. Nuk ka pasur zgjedhje por votime me një kandidat. Ka një përfshirje dhe një projekt për të përfshirë krimin e për t’i dhënë parcela të pushtetit krimit për t’i zhvatur qytetarëve paratë dhe për t’ia çuar një grupi.
Nuk ka ndonjë dilemë në lidhje me atë që ka publikuar media. Fakti është që mos t’i hyjmë siç ndodh përherë në Shqipëri që nuk merren me faktin por se si ka dalë fakti. Fakti është që një kryebashkiak është kapur duke pirë kokainë dhe është një kryebashkiak që ka edhe probleme të tjera. Sot kemi një fakt tjetër shtesë që e komprometon atë dhe duhet të largohet nga detyra”, deklaroi Salianji.

Sipas tij, kjo tregon se ku është degraduar pushteti në Shqipëri. “Ku e ka çuar Edi Rama, si qytetarët e kuptojnë sot më shumë se sa kurrë nëse i shërbehet qytetarëve”, tha ai.

Salianji tha se nuk është sulm politik por një investigim gazetaresk duke sjellë si shembuj suksesi të PD largimin e kryebashkiakëve të tjerë të inkriminuar.
“Jo ne nuk e posedojmë një video të tillë. Është një publikim i bërë në media sot dhe dje është përmendur dje emri i kryebashkiakut që thashë unë në konferencë. Reagimi i tij ishte që unë nuk e njoh drogën si material.
Nuk ka sesi të jetë politike. Nuk na intereson dhe nuk do qëmtonim kryetarin e bashkisë së Bulqizës kur ka 1000 të tjerë rrotull por një investigim gazetaresk.
Ne kemi këtë qëndrim për të gjithë kryebashkiakët, të cilët ju i keni parë edhe në raste e mëparshme që kanë thënë ‘nuk jemi ne’ dhe denoncimet e PD janë konfirmuar të vërteta. Rama e ka vendosur në kthetra drejtësinë për të mbrojtur kriminelët e tij”, u shpreh Salianji.

Ish-deputeti theksoi se PD do insistojë në mbrojtjen e interesit publik.
“Ne do mbrojmë interesin publik si çdo herë tjetër. Në rastet e tjera ka pasur masa të menjëhershme. Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave duhet të bëjnë shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Bashkisë. Ne pa diskutim do të insistojmë në mbrojtjen e interesit publik dhe nxjerrjen e llumit nga administrata.
Nuk mund të dënohen shqiptarët dhe Shqipëria për shkak të grykësisë së një grupi njerëzish”, deklaroi Salianji.


TË NGJASHME