HomePolitikë

“Sassoli një mik i Shqipërisë”, Rama: Pse nuk e bëmë më parë paketën anti-KÇK

Një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, Presidentin e PE-së, David Sassoli, por jo një mik që qëndron symbyllur. në konferencën e përbashkët për mediat në Tiranë, Rama tha se me z.Sassoli diskutoi për reformat e kryera nga qeveria që ai drejton e në veçanti për paketën Anti-KÇK.

“Sot jam këtu së bashku me Presidentin e PE, David Sassoli i cili përvecse një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel, mund të them se është një mik i kahershëm i Shqipërisë, dhe mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimin e integrimit të plotë të Shqipërisë  në BE. Dua të theksoj se ka qënë për disa vite kryetar i grupit të miqve të Shqipërisë në PE, me një kontribut shumë të vyer në përpjekjen për të formësuar një imazh të vërtetë të Shqipërisë duke u munduar në një luftë të vazhdueshme me paragjykime, me ato c’ka jemi mësuar për vite me radhë, të përsëritura nga njerëz që nuk e njohin Shqipërinë, por e përdorin për axhendat e tyre politike.

Kemi diskutuar hapur, është një mik i mirë, por jo symbyllur dhe si mik, ka shprehur gjithë opinionet e tij, pozitive apo kritike, për c’ka kemi bërë e c’duhet të bëjmë. Kemi patur në qendër të diskutimit procesin e integrimit, datat e reja, dhe në funksion të këtij diskutimi,  kemi folur në mënyrë shteruese për ligjin special Anti-KÇK. Më vjen mirë që vizita e Presidentit sot përkon me operacionin e parë në terren të forcës së ligjit, që besoj shumë do të përcojë një mesazh të qartë me fakte e jo me fjalë mbi sa seriozë e të vendosur jemi për të ndryshuar rrënjësisht këtë vend.” u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Operacioni Forca e Ligjit (OFL) dhe paketa ‘anti-KÇK’ janë prova e sigurt e faktit që pavarësisht se negociatat nuk u hapën në tetor puna vijon njësoj sikur negociatat të ishin hapur sepse i kërkon domosdoshmëria për ta kthyer Shqipërinë në një shtet me të gjitha standardet e BE.

Ai foli dhe për paketën anti-kçk, për të cilën tha se pasuria e vënë nga krimi do i kthehet popullit shqiptar. Por përse nuk u bë më parë ky operacion? Rama tha se nuk ishin strukturat e dala nga reforma në drejtësi dhe nuk mund t’ua çonin dosjet gjykatësve e prokurorëve të KÇK.

“Njerëzit është e rëndësishme të kuptojnë se përtej faktit që me të drejtë nuk kanë durim që siç ndodhi me reformën në drejtësi ashtu do të ndodhë dhe me këtë iniciativë. Qoftë kjo iniciativë, janë siç themi ne ‘dardha e ka bishtin mbrapa’ se nuk mbaron me kaq. Nëse vettingu të përjashton nga sistemi i drejtësisë nuk mbaron me kaq. Dhe për paketën, nëse zotërinjtë që thirren për të vërtetuar burimin e pasurisë së tyre nuk e vërtetojnë se nuk buron nga puna por nga krimi jo vetëm do të humbasin pasurinë dhe këtë pasuri do ta marrë mbrapsht populli shqiptar por do të hyjë në fazën tjetër, hetimi.
Më para nuk mund të bëhej dot se nuk kishim SPAK-unë. Nuk mund të bënim Operacionin Forca e Ligjit dhe tua çonim dosjet atyre të KÇK, gjykatësve e prokurorëve të korruptuar. Prokurorëve e gjykatësve që janë për të ikur? kështu që tani jemi në kushtet që kemi mekanizmat e parë të reformës në drejtësi”, deklaroi Rama.


TË NGJASHME