HomeRajon

Schieb: Kosovë – Serbi, duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe të mos krijojë probleme të reja në Ballkan.

Këto deklarata ai i ka bërë në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, duke thënë se marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e zbatueshme.

“Ne dëshirojmë që të dy palët të pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Nuk ka kuptim që të përshpejtohen gjërat vetëm për të arritur një marrëveshje, por e rëndësishme është që marrëveshja të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, që i kontribuon stabilitetit, dhe jo që të shkaktojë probleme shtesë”, ka deklaruar Schieb.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se situata është nën kontroll, por megjithatë thotë se shqetësohen që një zhvillim i tillë mund të përshkallëzojë situatën edhe më tej.

“Është e rëndësishme që kanalet e komunikimit janë të hapura dhe funksionojnë. Sigurisht ne jemi të shqetësuar, se një situatë e tillë, mund të dërgojë në eskalim të mëtejshëm të situatës”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, Schieb ka thënë se është optimist që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të rifillojë, duke bërë thirrje që palët të përmbahen, dhe të mos rriten tensionet në prag të Samitit të Parisit.


TË NGJASHME