HomeRajon

Së shpejti/ Vendet Ballkanit Perëndimor pa “Roaming”

roaming

Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, më datë 4 prill të këtij viti, pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e tarifave të shërbimeve “Roaming”.

Tarifa e “Roaming”-ut, janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti. Tarifë “Roaming”-u nënkuptohet telekomunikimi dhe shërbimi që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë së lëvizshme.

Në Samitin e dytë Dixhital që do të mbahet në Beograd, është planifikuar të nënshkruhet edhe marrëveshja për “Roaming”-un ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë.

Kosova është e gatshme dhe ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për këtë marrëveshje, tha për “Radion Europa e Lirë” ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, i cili pret të jetë i pranishëm në këtë samit në Beograd.


Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Europian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve. Marrëveshja në tërësi planifikohet të zbatohet në korrik të vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti.

Duke ju referuar taksës që Kosova ka vënë për mallrat serbe, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç tha se taksa ka rrezikuar të gjitha marrëveshjet rajonale. “Si të nënshkruhen marrëveshjet e reja, kur ato të vjetrat nuk respektohen?”, ka thënë ajo.


TË NGJASHME