HomePolitikë

Sekretari në PD: Qeveria nuk i zbaton dot kushtet e Bundestagut

Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu, tha në rubrikën “Opinion”, se qeveria shqiptare nuk mund t’i plotësojë nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Qeveria shqiptare nuk i zbaton dot këto kushte, është në pamundësi reale për t’i zbatuar. Kushtet detyrojnë Shqipërinë të zbatojë ndjekjen e personave, që kanë bërë vjedhjen e votave, kanë bërë krime elektorale. Këto krime janë bërë nga persona me pushtet të qeverisë dhe PS. Është pikërisht presioni i qeverisë që nuk lejon Prokurorinë të përparojë.

Është kjo qeveri që zhveshi Shqipërinë nga demokracia funksionale, është një situatë shumë e rëndë. Kushtet kërkojnë zhvillim ekonomik, por është pikërisht kjo qeveri që ka vrarë konkurrencën dhe ka vendosur tregun në dorën e një numri të vogël oligarkësh, që thuajse zotërojnë 95% të të ardhurave të shqiptarëve. Pra, qeveria shqiptare nuk mund t’i realizojë këto kushte.

Për Maqedoninë e Veriut do të ketë vetëm një konferencë, ndërsa për Shqipërinë do ketë dhe një konferencë të dytë, që do t’i hapë rrugë realisht integrimit. Kjo konferenca e dytë prezantohet për herë të parë nga Bundestagu. Rëndësia e konferencës së parë nuk ka ndonjë rëndësi për Shqipërinë, për hapjen e negociatave”, deklaroi Kashahu.

Bashkëpunimi për Reformën Zgjedhore …
Shqipëria ka një opozitë, që është opozita e bashkuar, dhe pushteti, pra dy janë forcat politike. Reformën Zgjedhore e kërkoi Bundestagu, PD propozoi ngritjen e një komisioni që të survejohet nga ndërkombëtarët dhe të përfaqësohet nga këto dy forca politike. Opozita e bashkuar do unifikojë qëndrimin para se të shkojë në komision. Por, si mundet që ky komision të drejtohet nga Damian Gjiknuri, që duhet të ishte i hetuar, ndoshta i dënuar, për krim elektoral. Është e qartë për këdo që Gjiknuri është i përfshirë në përgjimet e publikuara nga BIRN. Është cinike t’i ofrosh opozitës një person që ka kryer ato krime, luftimet ndaj të cilëve përbëjnë betejën madhore të opozitës së bashkuar.

PD dhe PS mund të arrijnë marrëveshje për të bërë Reformë Zgjedhore? A do ta zgjidhte çështjen një marrëveshje PS-PD?
Prokuroria duhet të çlirohet nga influenca politike dhe të bëjë detyrën siç i kërkohet. Është provokim për PD që të bashkëdrejtojë një komision me Gjiknurin. Ka konfuzion nga PS, ndërsa nga PD ka një situatë tepër të qartë. Nuk ka arsye pse të mos ketë një marrëveshje për draftin e Reformës Zgjedhore. Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme, dhe këtë e thonë edhe vendet më serioze të BE dhe SHBA.


TË NGJASHME