HomeShowbiz

Selena Gomez flet për problemet me shëndetin mendor përmes fushatës së saj

Këngëtarja Selena Gomez ka ndërmarrë një iniciativë për t’ju ardhur në ndihmë të rinjve që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor përmes markës së saj, Rare Beauty.

Në një postim në rrjete sociale, këngëtarja shkruan se dikur është përballur me probleme të tilla dhe për këtë arsye kjo fushatë është shumë afër zemrës së saj. Ajo vë theksin tek edukimi për shëndetin mendor, si dhe për të marrë ndihmën e nevojshme.

Ajo ka shpjeguar se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Gomez gjithashtu i dërgoi një mesazh “kujtdo që dëmton veten tani”.

“Kjo fushatë është shumë afër zemrës sime, për shkak të problemeve të mia me shëndetin mendor. Unë e di vetë shumë mirë se sa e frikshme është që të përballesh me ankthin dhe depresionin vetëm në një moshë të re. Nëse do të kisha mësuar më shumë për shëndetin mendor që në fillim, nëse do të më kishin mësuar në shkollë për kushtet e mia njësoj siç më mësonin për lëndët e tjera, rrugëtimi im do të kishte qenë shumë më ndryshe. Bota duhet ta dijë se shëndeti mendor ka shumë rëndësi. Është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik dhe do të doja që të gjithë të ishim të vetëdijshëm për këtë gjë, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Për të gjithë ata që ndjehen keq, shpresoj që ta dini se nuk jeni vetëm. Mbështetja dhe edukimi për shëndetin mendor më ka ndryshuar jetën dhe mund të ndryshojë edhe të tuajën”, ka shkruar Selena.


TË NGJASHME