HomeSport

Sfida ndaj Malit të Zi, Challandes optimist

Në 20:45, në kuadër të “Euro 2020”, në fushë do të zbresin dy kombëtaret, Shqipëria dhe Kosova. Kosova do të presë në stadiumin “Fadil Vokrri” Malin e Zi në një sfidë shumë delikate, nga e cila do të vendoset një pjesë e mirë e fatit të kualifikimit të ekipit kosovar.

Fitorja e Çekisë ndaj Anglisë, ka komplikuar më shumë shanset e ekipit të Challandes për kualifikim dhe mbrëmjen e sotme duhet patjetër fitore.

“Për momentin nuk mendoj për Ligën e Kombeve, jemi në kualifikuese dhe mendoj që edhe këtu mund të arrijmë hyrjen në Evropian. Ajo që ka më shumë rëndësi është që tani të japim maksimumin tonë”, është shprehur Benard Challandes.

Challandes shtoi se faktori fushë do ta ndihmojë jashtë mase skuadrën e tij për këtë ndeshje me Malin e zi ku Kosova do të kërkojë të bëjë lojën e saj.

“Unë e pëlqej presionin. Presioni nganjëherë është i mirë po ashtu kemi disa lojtarë të cilët pëlqejnë presionin. Mendoj që kështu është më mirë të luajmë. Luajmë në Prishtinë ku nuk kemi asnjë humbje, do të na ndihmojë fakti të qenit skuadër pritëse. Nuk mund të them se nuk më brengos shumë renditja në tabelë ose rezultatet tjera por e përsëris ne si ekip duhet të japim maksimumin të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë”, shton trajneri.

Kosova ka luajtur 5 ndeshje në kualifikueset e “Euro 2020” deri tani dhe ka arritur të grumbullojë 8 pikë duke u renditur në vendin e tretë pas Anglisë dhe Çekisë që janë me 12 pikë. Megjithatë Kosova e ka edhe një shans për të qenë në Evropianin e 2020, playoff-i i Nations League.


TË NGJASHME