HomeSport

Sfidat e Kombëtares, Ajeti e Cikalleshi optimistë për rezultate pozitive

Në Frankfurt të Gjermanisë, Kombëtarja Shqiptare, po vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve të “Euro 2020”.

Trajneri i ri kombëtares, ka thirrur edhe Sokol Cikalleshin, sulmuesi shtatlartë që mungonte në kombëtare pas dëmtimeve të shumta, por edhe për shkak të vendimeve të ish-trajnerit Panucci.

“Të jesh pjesë e Kombëtares është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh është një nder. Ndaj Islandës kërkojmë që të bëjmë mirë. Në dy grumbullimet kur ishte trajner Panucci isha i pafat, pasi isha i dëmtuar. Ftesa më ka ardhur. Por tani nuk duhet ta mendojmë Panuccin, ta lemë pas të kaluarën, pasi jemi këtu për një kapitull të ri. Jemi staf i ri dhe shpresoj që ta konkretizojmë në fitore”, shprehet sulmuesi.

Ndërsa Arlind Ajeti flet për një atmosferë pozitive në skuadër, të cilën ai dhe pjesa tjetër e skuadrës do të kërkojnë që ta transmetojnë edhe në fushën e lojës: “Jemi duke u stërvitur me intensitet dhe më duket shumë mirë çdo gjë deri tani. Atmosfera mes stafit dhe mes lojtarësh ka qenë shumë e mirë, diçka që na ka munguar për një kohë të gjatë. Ne mundohemi të kapim maksimumin dhe pavërësisht trajnerit ne luajmë për kombin tonë. Të luajturit me zemër duke mbrojtur mirë është forca jonë. Trajneri na ka dhënë diçka ekstra dhe do mundohemi t’i përcjellim”.


TË NGJASHME