HomeSport

Sfidat e radhës për “Euro 2020”, Edy Reja zbulon të grumbulluarit

Ditën e sotme, nis grumbullimi zyrtar i Kombëtares për dy ndeshjet e ardhshmë në kuadër të kualifikueseve të “Euro 2020“. Shqipëria do të luajë ndeshjet e ardhshme ndaj Islandës dhe Moldavisë, ndërkohë trajneri Edy Reja, ka bërë publike edhe listën me futbollistët e përzgjedhur për këto dy sfida. Në listën e të grumbulluarve, bie në sy, mungesa e Strakoshës, rikthimi i Mavrajt e Cikalleshit dhe thirrja për herë të parë e Kumbullës.

Trajneri italian pranoi se, gjithsesi, për këto dy sfida do të bazohet te grupi aktual i skuadrës.

“Kam një listë me 35 lojtarë, por për këto dy ndeshje kam bërë këtë zgjedhje, duke marrë futbollistë që kanë qenë më parë dhe që e njohin njëri-tjetrin. Për momenti do të bazohemi te këta lojtarë. Objektivin e dimë të gjithë: kualifikimi për në Euro 2020. Në garë janë 5 skuadra, por vetëm dy do të kualifikohen. Përveç Francës, që është një skuadër potente, me ekipet e tjera kemi mundësi për të fituar. Kush vjen këtu duhet të jenë të bindur për arritjen e objektivit dhe në fund do të bëjmë bilancet”, tha Edoardo Reja.

Javën e kaluar, tekniku Reja, zhvilloi edhe një grumbullim paraprak të ekipit, ku ishin të përfshirë edhe lojtarë të Kombëtares U-21.

“Puna që bëmë javën e kaluar ishte për t’i mbajtur futbollistët në formë. Falënderoj Partizanin për lojtarët që vuri në dispozicion. Pastaj vëzhgova edhe lojtarët e U21-shit që sapo u kthyen. Por, stërvitja e parë e vërtetë është sot. Skuadra ka nevojë për ekuilibër, pasi ka mangësi në këtë aspekt. Shpresoj të jap ndihmën time, por varet nga bashkëpunimi me lojtarët. Nëse lojtarët besojnë tek ajo që propozoj dhe bashkëpunojnë, atëherë jemi në avantazh në krahasim me problemet e së kaluarës”, u shpreh tekniku Reja.

Edy Reja, u shpreh gjithashtu se dëshiron të vazhdojë punën e De Biasit, ndërkohë për trajnerin Panucci, Reja theksoi se ishte i pafat. Ai gjithashtu, shtoi se do të bëjë menaxhim demokratik të grupit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë kritika ndaj lojtarëve, ndërkohë që e mbylli konferencën edhe me një incident të vogël.

Lista e të grumbulluarve:

Portierë: Berisha, Hoxha dhe Selmani.
Mbrojtës: Aliji, Hysaj, Ismajli, Ajeti, Kumbulla, Balliu, Veseli, Mihaj, Binaku, Dermaku, Mavraj.
Mesfushorë: Abrashi, Basha, Memushaj, Kaçe, Ndoji, Qose, Xhaka, Ramadani, Lenjani.
Sulmues: Uzuni, Balaj, Cikalleshi, Sadiku, Grezda, Roshi.


TË NGJASHME