HomeSport

Sfidë vendimtare, ndaj Moldavisë Shqipëria luan gjithçka

Pas humbjes shokusese në minutat e fundit ndaj Turqisë, ndaj Moldavisë kërkohet kthesa dhe synohet fitore me patjetër, nëse duam të mbajmë gjallë shpresat për arritjen e një vendi në play-off.

Në kampin kuqezi duhet të marrë zgjidhje edhe një tjetër “problem”. Talentet e reja të afruara nga Edi Reja, duhet të aktivizohen qoftë edhe një minutë për të mos pasur mundësi zgjedhje të ndonjë përfaqësueseje tjetër. Në një farë mënyre duhet të “digjen”. Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, lojtarin 19 vjeçar që aktivizohet titullar me Veronën në Serinë A. Qendërmbrojtësi ka fituar një vend në klubin veronez, duke ngjallur interes edhe të kombëtares italiane. Megjithëse Kumbulla e ka bërë të qartë se zemra e tij rreh kuqezi, stafi duhet të jetë i qetë në këtë drejtim. E njëjta situatë është me Taulant Seferi-n dhe Lindon Selahi-n, që pritet t’u jepen minuta në këmbë për t’i pasur në vazhdimësi.

Një motiv më shumë për fitore ndaj Moldavisë është edhe kontrata e trajnerit Reja. 74 vjeçarit i skadon afati në nëntor, me palët që do ulen për të bërë bilancin e punës së tij. Një vend i tretë i mundshëm dhe paraqitjet e mira në fushë, do të bënin që Reja të ishte ende në timonin kuqezi. Tekniku italian e bëri të qartë se ka dëshirë të vazhdojë të drejtojë këtë grup, që sipas tij premton shumë.


TË NGJASHME