HomeLajmi i Fundit

SHBA dhe Britania hedhin poshtë raportimet për shkëmbim të të burgosurve me Iranin

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab kanë diskutuar çështjet e lidhura me Iranin më 3 maj, pak para nisjes së takimit të ministrave të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), megjithatë, të dy zyrtarët kanë hedhur poshtë thashethemet se është diskutuar për shkëmbim të të burgosurve me Teheranin.

Mbretëria e Bashkuar është aktualisht nikoqire e takimeve të G7-ës, dhe është e përfshirë në përpjekjet për të rinisur zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Irani duhet të heqë dorë nga programi bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Si Uashingtoni, ashtu edhe Londra kanë pranuar se janë duke bërë përpjekje që të kërkojnë lirimin e shtetasve të tyre që mbahen në Iran, mirëpo nuk kanë lidhur këtë temë me çështje tjera.

“Unë jam i vendosur ta çoj në shtëpi secilin amerikan”, ka thënë Blinken nga Londra, pasi i ka konsideruar “të pasakta” raportimet për këmbim të të burgosurve.

Aktualisht Irani është duke mbajtur në burgjet e veta të paktën katër amerikanë: Baquer and Siamak Namazi (babë dhe djalë) ambientalistin Morad Tahbaz dhe sipërmarrësin Emad Shargi.

Zyra britanike për Punë të Jashtme po ashtu ka hedhur poshtë raportimet iraniane të 2 majit, se është arritur marrëveshje për ta liruar britaniko-iranianen Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila mbahet në Iran nga viti 2016.

Zyrtarët britanikë kanë thënë më 3 maj se raportimet kanë qenë “dezinformata”.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu ka thënë se raportimet e 2 majit nuk janë të sakta.


TË NGJASHME