HomePolitikë

SHBA-Japoni forcojnë aleancën me marrëveshje të re tregtare

Kryeministri japonez Shinzo Abe organizoi të hënën me të ftuarin e tij, presidentin Donald Trump, një takim me në fokus raportet tregtare SHBA-Japoni. Dy palët konfirmuan vendosmërinë për ta forcuar më tej aleancën. Trump u prit edhe nga perandori i ri i vendit, Naruhito.

Lajmi u konfirmua të hënën gjatë një takimi që kryeministri japonez Shinzo Abe organizoi me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

Fokusi i takimit të dy shtetarëve u fokusua edhe te forcimi i aleancës SHBA-Japoni.

Duke përmendur raportet tregtare, u njoftua se në muajin gusht do të bëhet publike një marrëveshje dypalëshe që pritet të adresojë edhe deficitin e lartë tregtar mes dy vendeve.

Japonia gjithashtu do të blejë më shumë avionë luftarakë të prodhuar në Amerikë, ndërsa dy aleatët u zotuan të dërgojnë së bashku astronautë për misione të ndryshme hapësinore.

Bisedimet dypalëshe që vijnë në kuadër të vizitës shtetërore katërditore të presidentit Trump në Japoni u paraprinë në fundjavë nga momente relaksuese sportive të dy delegacioneve.

Të hënën shefi i Shtëpisë së Bardhë, i shoqëruar nga zonja e tij Melania, u bë gjithashtu i pari lider i huaj që pritet nga perandori i ri i Japonisë, Naruhito.

Takimi në pallatin perandorak u vlerësua si nder i madh nga të dyja palët, ndërsa ditën e martë përpara largimit Presidenti amerikan do të vizitojë një bazë ushtarake të vendit të tij në Japoni.


TË NGJASHME