HomePolitikë

SHBA merr vendim lidhur me Turqinë

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë të vendosura pas nisjes së operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kam urdhëruar Departamentin e Thesarit për heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë të vendosura më 14 tetor”, tha Trump duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me nderprerjen e operacionit antiterrorist të Turqisë.

Trump tha se armëpushimi në kufirin Siri-Turqi është duke u ruajtur dhe është duke u bërë permanent.

“Zona e sigurt prej 20 miljesh (rreth 32 kilometra) është formuar”, deklaroi presidenti amerikan.

Pas deklaratës së Trump-it, Departamenti i Thesarit njoftoi se zyrtarisht të gjitha sanksionet janë hequr.

Më 14 tetor, Trump vendosi sanksione ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore, si dhe ndaj ministrave përkatës Hulusi Akar dhe Fatih Dönmez, si dhe ministrit të Brendshëm Süleyman Soylu.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në mënyrë që të mundësohet tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt.

Ndërkaq, dje, presidenti turk Recep Tayyip Erdo?an dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi vetëm disa orë para përfundimit të pauzimit të operacionit turk, ku Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë.

Marrëveshja po ashtu parashikon patrullime të përbashkëta të forcave të sigurisë nga Turqia dhe Rusia në rajon.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.


TË NGJASHME