HomeSport

Shefi i “Sportradar”: Ja si i trukonte ndeshjet Skënderbeu

Wired“, revista angleze që publikohet vetëm dy herë në muaj dhe që trajton tema të ndryshme, këtë herë ka publikuar një artikull kushtuar luftës së UEFA, kundër trukimit të ndeshjeve. Më 9 gusht, është publikuar artkulli me titull “Brenda luftës së pafundme për të vrarë industrinë e trukimeve 1 trilion dollarë”.

Revista ka intervistuar direkt shefin e “Sportradar”, Tom Mejs. Kjo kompani monitoron bastet dhe më pas ndeshjet e dyshimta i raporton në UEFA. Në artikull ka një paragraf që i kushtohet edhe Skënderbeut.

JA NJË PJESË E ARTIKULLIT:

Më 11 nëntor 2016, nën projektorët e shndritshëm të stadiumit “Peter Mokaba” në Polokuejn, Afrika e Jugut, vendësit po përgatiteshin për t’u përballur me rivalin e Grupit D, Senegalit në kualifikuesen e Botërorit e “Rusi 2018”. Afrika e Jugut nuk e kishte mundur Senegalin prej janarit 2015. Ishte një ndeshje që ata duhet ta fitonin për të shkuar në finalet e kompeticionit. Ndeshja nisi ngadalë, 42 minutat e para nuk pati gol dhe asnjë nga skuadrat nuk dukej se do të shënonte, kur një lojtar i Afrikës së Jugut gjeti hapësirë dhe goditi në portën e Senegalit.

Topi u devijua qartazi në gjurin e Kalidu Kulibalit, por arbitri ganez, Jozef Lamptej, akordoi penallti për Afrikën e Jugut, duke sinjalizuar se mbrojtësi i Napolit kishte prekur topin me dorë. Mbrojtësi Thulani Hlatshuajo shënoi dhe të motivuar nga ndryshimi i papritur i fatit të tyre, afrikano-jugorët u hodhën në sulm. Brenda pak minutave shënuan sërish. Një gol në pjesën e dytë i Senegalit nuk mjaftoi. Vendësit fituan dhe siguruan vendin e dytë në grupin kualifikues.

Ai që e ndiqte ndeshjen atë mbrëmje ishte edhe Tom Mejs, një londinez, i cili punonte për kompaninë e basteve sportive “Sportradar” si drejtor i shërbimeve të integritetit të operacioneve botërore, një departament i krijuar për të monitoruar aktivitetin e dyshimtë të bastvënieve. Skuadra e Mejs përdorte programin e quajtur “Fraud Detection System”, Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve (FDS), i cili grumbullon së bashku të dhënat e parandeshjeve të më shumë se 550 bastvënësve në 6 kontinente: Azi, Australi, dy Amerikat, Afrikë dhe Europë dhe përfshin faqe gjigante bastesh si “Bet365” dhe “Betfred”.

Duke monitoruar sesi vendosen bastet “live”, krahasuar me koeficientet e parallogaritura të ndeshjes, Mejs dhe skuadra e tij mund të pikasin gjurmë të vendosjes së basteve të pazakonta, të cilat janë shpesh tregues të trukimit të ndeshjeve. Prej 2009-ës, “Sportradar” ka regjistruar 4,145 ndeshje sportive si të trukuara. Skuadra e Integritetit ka ndihmuar gjithashtu hetimet kriminale që janë kryer nga Interpoli dhe autoritetet lokale të policisë kundër mafies së basteve, raste që i vendosin hetuesit në rrezik sulmesh të dhunshme hakmarrjeje.

SI TRUKONTE SKËNDERBEU

Shërbimi i Integritetit të “Sportradar” ka punuar nga afër për të monitoruar edhe aktivitetin e trukimeve të klubit të Skënderbeut. “Nisa të shkruaj raporte për Skënderbeun kur mbërrita te ‘Sportradar’ në 2010-ën”, tregon Mejs. “Dhe ato vazhdojnë akoma. Ata janë një organizatë serioze, me informacione të brendshme të tregjeve të basteve dhe dinë sesi t’i maksimizojnë përfitimet”, thotë ai.

Në vend që të trukonin duke kontrolluar numrin e golave që do të humbnin, Skënderbeu trukonte shpesh 15 minutat e fundit të një ndeshjeje, duke pësuar një gol në fund në mënyrë që të përfitonin, por gjithnjë duke e fituar ndeshjen. Mejs kujton kualifikuesen e Champions-it në 2015-ën kundër Krusaders, kampionëve të Irlandës së Veriut. Në minutat e fundit, Skënderbeu ishte duke fituar, por në këto minuta, shqiptarët i lejuan kundërshtarit që të kalonte mbrojtjen e tyre dhe shënonte një gol të lehtë. Por arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje.

Pak minuta më vonë, situata u përsërit. Në tentativën e tretë, britanikët më në fund e shënuan golin legjitim. Duke e parë atë ndeshje, ishte si një skuadër futbolli profesioniste, e cila papritur humbiste aftësinë për të luajtur. Skënderbeu shfaqet në 53 raporte të “BFDS” mes nëntorit 2010 dhe prillit 2016. UEFA i pezulloi në sezonin 2016-17. Në 2018-ën, me ndihmën e skuadrës së Integritetit, UEFA vijoi më tej, duke e zgjatur dënimin në 10 vite dhe gjobë prej 1 milion eurosh.

Korrupsioni te Skënderbeu besohet se është i përhapur në të gjitha nivelet e klubit, nga lojtarët, te trajnerët dhe menaxhimi, me presidentin e klubit, Ardjan Takaj, i cili akuzohet si truri i operacionit. Raporti i UEFA-s përfundonte me “Skënderbeu ka trukuar ndeshje si askush tjetër në historinë e këtij sporti” dhe se “kanë operuar si një vegël për krimin e organizuar”.

Disa prej hetuesve të UEFA-s u kërcënuan me vdekje gjatë hetimit në 2018-ën. “Ne jemi këtu për një arsye. Jo thjesht sepse partnerët tanë duan që të kenë një imazh pozitiv për integritetin e tyre. Por ne jemi këtu edhe për të hapur çështje dhe dënuar njerëz. Kjo nuk do të ndryshojë”, përfundon Mejs.


TË NGJASHME