HomeLajmi i Fundit

Shembet muri i kabinës dhe i merr jetën 41 vjeçarin, arrestohet në flagrancë inxhinieri

Një inxhinier ka përfunduar në prangat e policisë së Pogradecit, pasi një 41 vjeçar humbi jetën teksa punonte për zëvendësimin e kabllove në një kabinë elektrike.

E.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi sipas policisë, nuk ka zbatuar rregullat e sigurimit teknik. Policia sqaron se 41 vjeçari banues në Babrru në Tiranë, gjeti vdekjen pasi u shemb muri i kabinës.

Njoftimi:

Arrestohet në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, inxhinieri mbikqyrës i kompanisë që kryente punime në kabinën elektrike, në të cilën si pasojë e rrëzimit të një muri, gjeti vdekjen punëtori P.M.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 31.10.2019, në lagjen nr.5, ku gjatë punës për zëvendësimin e kabllove në një kabinë elektrike, ka gjetur vdekjen një 41-vjeçar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera rezulton se, shtetasi i mësipërm me detyrë inxhinier mbikqyrës pranë një kompanie nën kontraktore e cila po kryente punime në kabinën elektrike, nuk ka zbatuar rregullat e sigurimit teknik pasi gjatë punës brenda në këtë kabinë, është shembur një mur dhe për pasojë ka gjetur vdekjen punëtori P.M, 41 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.