HomeLajmi i Fundit

Shembja e Teatrit, LVV në Tiranë del në protestë

Lëvizja Vetëvendosja në Tiranë ka dalë në protestë përpara Gjykatës së Tiranë duke kërkuar lirimin e personave që janë arrestuar për shkak të tubimit kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Dy ditë me parë, Boiken Abazi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, i është komunikuar arrestimi për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

Ndërsa thekson se arrestimi i tyre është pa baza, në rrjetet sociale LVV në Tiranë ka bërë një reagim ku shkruan se sot është dita e tretë që mbrojtës të Teatrit Kombëtar mbahen padrejtësisht në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtave e Njeriut.

Reagimi i plotë:

E drejta është me mbrojtësit e Teatrit Kombëtar!

Sot është dita e tretë që mbrojtës të Teatrit Kombëtar mbahen padrejtësisht dhe në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtave e Njeriut. Arrestimi i tyre është pa baza. Ata akuzohen se janë agresorë, kur agresorët e vërtetë janë ata që shkatërruan Teatrin dhe që me maskën e ligjit kërkojnë të tjetërsojnë pronën publike. Drejtësia duhet të arrestojë dhe hetojë përgjegjësit e vërtetë, që Teatrin e kishin dënuar me shkatërrim vite më parë dhe që shkelën të gjitha normat ligjore dhe kufizimet e emergjencës pandemike për ta kryer kriimin. Në një shtet ligjor pushteti nuk të jep imunitet, aq më pak kur abuzon me detyrat publike. Hetimi i shkatërrimit të Teatrit është prova e zjarrit e Reformës në Drejtësi.

Privimi i mëtejshëm i lirisë së mbrojtësve të Teatrit Kombëtar është veçse inkurajim për vazhdimin e padrejtësive të pushtetit politik dhe për shtimin e tyre. Të gjithë të arrestuarit duhen liruar, sepse ata me trupat e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vendin tonë. Ata u bënë barrikadë ndaj projektit kriminal të tjetërsimit të pronës publike dhe ndaj keqpërdorimit të institucioneve shtetërore për interesa private. Garancia më e madhe për ruajtjen e rendit kushtetues ndaj abuzimit flagrant të pushtetit, është protesta spontane qytetare, prandaj të arrestuarit kanë ushtruar të drejtat e tyre si qytetarë. Mbajtja e tyre në arrest është frikësim për angazhimin qytetar në mbrojtje të demokracisë, prandaj dhe lirimi i tyre është vënie e drejtësisë në vend.

Ne do të jemi këtu gjithnjë për të reaguar në mbrojtje të të drejtave qytetare kundër abuzimit të pushteteve!

Ata që sot që rezitojnë, nesër fitojnë!

Tiranë, 20 maj 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri