HomePolitikë

Shërbimet online, Rama: Askush nuk do të ikë nga puna

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot nga afër qendrën shëndetësore të rindërtuar në Vorë, ndërsa deklaroi se ky qytet do të pësojë shumë ndryshime pas dëmeve që solli tërmeti i 26 nëntorit. Teksa shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kreu i qeverisë tha se pavarësisht dixhitalizimit të shërbimeve, duke hequr kështu sportelet dhe shmangur radhët e qytetarëve, askujt nuk i cënohet vendi i punës.

Ai pohoi se sportelistët dhe recepsionistët që merreshin me pritjen e qytetarëve, tashmë do të japin kontributin e tyre për të ndihmuar sistemin online, falë programit E-Albania. Mes të tjerash ai tha se në Vorë falë projektit të Rindërtimit do të bëhet diçka e bukur, pa treguar shumë detaje.

“Kam qenë më parpara këtu dhe ka qenë katastrofë. Në Vorë mrekullia vet do të jetë rindërtimi, pasi ka shumë godina për t’u shembur. Do bëjmë një gjë shumë të bukur në Vorë. Pra kjo është karta e shëndetit, me vulën elektronike, me të cilën keni bërë 60 mijë udhëtime. Ta harrojnë tani. Nuk ka nevojë më për këtë. Mjafton që ju të vini tek mjeku dhe ai e bën vet këtë punë. “S’kam kartë, nxirre kartën, ku e ke, shko merre. Na doli, s’na doli”, këto s’vlejnë më. Mbaje këtë (i drejtohet një qytetar, duke i dhënë një kartë) ta kesh si kujtim nga Edi Rama. Pra radha në qendra shëndetësore, ishte më shumë për rinovimin e kartave. Ata (punonjësit) nuk do të ikin nga puna. Ata tani do të bëjmë më shumë punë. Recepsionistët dhe sportelistët nuk do të pushohen nga puna. Ju do të jeni këtu për ndihmuar këtë sistem online.”, tha Rama.

Ndërkohë Rama shkon në një prej dhomave të vizitave për të takuar qytetarët e rehabilituar aty.


TË NGJASHME