HomeLajme

Shfaqet sërish peshku me “jelek antiplumb” në Amazonë

Është i pajisur me luspa të forta, të cilat studiuesit i kanë krahasuar me një jelek antiplumb, arrin të mbrohet nga sulmet e piranjave dhe grabitqarëve të tjerë të ujërave.

Arapaima, quhet peshku i gjetur në pellgun e lumit Amazona. Njihet si një nga peshqit më të mëdhenj të ujërave të ëmbla në botë, i aftë të rritet gati 3 metra i gjatë dhe të peshojë deri në 200 kilogramë.

Veçantia e peshkut, Arapaima, është se mund të jetojë në ujë me pak oksigjen dhe të mbijetojë një ditë pa ujë fare.

Ky peshk është një burim i rëndësishëm ushqimi për komunitetet lokale, por gjithashtu një ushqim i shtrenjtë në disa nga qytetet më të mëdha të Brazilit.

Peshkimi i tepërt e vuri në rrezik këtë specie dhe në vitet 1990 u ndërmorën hapa për ta ndaluar këtë. Sidoqoftë, peshkimi i paligjshëm vazhdoi, duke bërë që speciet të viheshin në rrezik, por në dy dekadat e fundit falë punës nga komunitetet lokale, kjo gjë u arrit të parandalohej.

Sot, peshkimi i llojit Arapaima është i ndaluar në Brazil, përveç nëse ndodh brenda disa zonave në të cilat është vendosur një marrëveshje menaxhimi për shfrytëzimin e ujërave.

Burimi: A2CNN


TË NGJASHME