HomeLajme

Shiste drogë, arrestohet 41-vjeçari

Është finalizuar operacioni antidrogë i koduar “HOSTAGE” , ku Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar. Gjatë operacionit janë sekuestruar kokainë, telefona celularë dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të voga, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë marrë informacione në rrugë operative se një shtetas u shiste personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike, në qytetin e Tiranës, lëndë narkotike droga të forta, kryesisht kokainë, të cilën e siguronte jashtë qytetit të Tiranës.

Mbi bazën e këtyre infromacioneve dhe pas një pune intensive, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “HOSTAGE”, si rezualtat i të cilit u kap në flagrancë shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është kapur në flagrancë, gjatë operacionit, me doza lënde narkotike kokainë, e gatshme për t’u hedhur në treg në rrugën e Durrësit. Pas kontrollit të ushtruar më pas në banesën e të dyshuarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese më kokainë (306.6 gramë).

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 1 500 euro dhe 46 000 lekë të reja, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si edhe 14 telefona smartfon, që poseduesi i lëndës narkotike ia mbante si peng për lëndën narkotike personave të ndryshëm, në shkëmbim të kokainës.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.”


TË NGJASHME