HomeSport

Shitje për herë të tretë, Milani nën radarin e sheikëve

Mëngjesin e ditës së djeshme, një lajm tronditi bursën e Milanos. Sipas agjencisë “Adnkronos”, klubi kuqezi i Milanit, mund të ndryshojë sërish pronar. Kjo do të ishte hera e tretë që Milan do të ndryshonte pronar gjatë tre viteve të fundit. Në prill të 2017-tës, Silvio Berluskoni do të shiste Milanin për 740 milionë euro te Jonghong Li, ky i fundit e humbi pronësinë e Milan pas 14 muajsh pasi nuk shleu dot borxhet ndaj fondit “Elliott”.

Amerikanët u përfshinë në minutat e fundit të merkatos dhe u munduan të ndërtonin një ekip të denjë për vendet e para, por ëndrra e tyre u shua me “Djallin”, i cili nuk shkoi më larg se vendi i pestë.

Me zonën Champions një pikë larg, planet e amerikanëve pësuan një ridimensionim, që përveçse disa largimesh veteranësh, po prekin edhe strategjinë afatshkurtër të klubit, duke qenë se merkato e sivjetme po karakterizohet nga afrime me kosto dhe moshë të ulet.

Duke qëndruar te lajmi i shitjes, agjencia e lajmeve “Adnkronos” njoftonte se drejtuesit më të lartë të Milanit duhet të takonin gjatë ditës së djeshme një grup përfaqësuesish nga “Fondi i Investimeve të Katarit”. Lajmi u përgënjeshtrua në kohë rekord, por zërat për një interes të sheikëve ndaj kuqezinjve vijuan.

I kryesuar nga sheiku Abdulla bin Mohamed bin Saud Al-Thani, ky fond ka një pasur prej 335 miliardë eurosh dhe blerja e kuqezinjve që vlerësohen nga “Elliott” rreth 700-800 milionë euro do të ishin një investim krejtësisht brenda mundësive. Përveç pagesës për shumicën e aksioneve kuqezi, arabët do të “trashëgonin” edhe bilancet negative të Milanit, që sot përllogariten rreth 400 milionë euro.

Përgënjeshtrimi i klubit italian vjen duke përmendur faktin se “Elliott” ka plane disavjeçare, por për një fond që synon përfitimet, 1 miliard euro mjaftojnë për të hequr dorë nga “ëndrra” për të ringritur Milanin e madh.



TË NGJASHME