HomePolitikë

Shkarkimi i Metës/ Komisioni Hetimor do pyesë Dvoranin, reagon Presidenca

Pas vendimit të fundit të marrë sot nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të vendit, për të marrë në pyetje edhe kreun e KED-së, Ardian Dvorani, vjen reagimi nga Presidenca.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, zëdhënësi i presidentit Meta, thekson se “Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim”.

Sipas Tedi Blushit, “Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale”.

Reagim i Tedi Blushit 

Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale.

Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.

Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.

Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës.

Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje.

Cfare u vendos sot te Komisioni Hetimor 

Komisioni hetimor do t’i drejtohet sërish komisionit të Venecias lidhur me shtimin e objektit të hetimit ndaj presidentit Ilir Meta.

Krahas kësaj ky veprim duhet të marrë miratimin e Komisionit ndërsa Klotilda Bushka ka shfaqur dhe 5 pyetjet që do i drejtojë mazhoranca.

1-A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar. Në këtë rast a konsiderohet e cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

2-Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cënon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor. A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ?

3-A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?

4-Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?

5-Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?


TË NGJASHME