HomePolitikë

Shkarkimi i Presidentit, ja si përgjigjet Balla

Në një konferencë për mediat teksa komentoi opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u pyet edhe në lidhje me procesin e shkarkimit të Presidentit, Ilir Meta.

Balla tha se shkarkimi i Presidentit nuk ka qenë qëllim në vetvete, se mëkati i tij është si drita e diellit dhe lidhet pikërisht me 30 Qershorin.

“Shkarkimi nuk ka qenë qëllim në vetvete. Komisoni hetimor i iniciuar me kërkesë të 55 deputetëve është një komision i cili po vijon punën. Ky komision ka patur si objekt të tij disa çështje të rëndësishme. Opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese thotë qartë se ka një vakum.

Dhe në lidhje me aktin e presidentit duke mos i ofruar mundësi betimi një anëtari për t’u votuar në Kushtetuese, Komisioni i Venecias është i qartë në këtë pikë. Qoftë dhe presidenti i Republikës nuk mund të ketë të drejtë që pas skadimit të afatit 30 ditor, të mos ia ofrojë betimin.

Unë inkurajoj Komisionin që të vijojë punën. Sa i takon shkarkimit të tij, besoj se mëkati i tij lidhur me ligjshmërinë, është i qartë si drita e diellit lidhur me aktin joligjor të dekretit, apo zhdekretimi i 30 qershorit, që ka qenë objekt vlerësimi i një opinioni tjetër.

Por duhet të kujtoj se shkarkimi i Presidentit nuk kërkon vetëm 94 vota,  por dhe çertifikim nga Gjykata Kushtetuese. Venecia sa i përket aspektit të zgjedhjes së anëtarëve u ka dhënë të dyja palëve të drejtë. Venecia thotë; duhet dialog institucional”, tha Balla.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME