HomeLajme

Shkarkohet përfundimisht nga detyra prokurori

Prokurori Ramandan Troci e ka humbur përfundimisht betejën për t’u konfirmuar në detyrë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama  relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, kanë lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimi për shkarkimin nga detyra të Trocit nga KPK-ja u mor më 15 nëntor 2018. “Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA-së.

KPK vendosi që të mos e konfirmonte në detyrë, me pretendimin se kishte gjetur probleme në pasurinë e tij.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një apartament 94 metra katrorë në zonën e Selitës, ku diferenca e gjetur, sipas avokatit të Trocit, është 700 mijë lekë të rinj.

Pas një karriere gati 20-vjeçare në sistemin e Drejtësisë, prokurorit Ramadan Troci iu hapën probleme me pasurinë, konkretisht për një ndërtim pa leje prej 32 metrash katrorë, të ndërtuar nga i ati në zonën e Paskuqanit, në Tiranë.

Gjithashtu, KPK-ja mendon se prokurori nuk qartëson kontratën e qirasë të lidhur me një person tjetër për një banesë, në të cilën Troci jeton bashkë me familjen, në zonën e “Pazarit të Ri”.

Vetë Troci nuk preferoi ta komentonte vendimin për shkarkimin e tij, ndërsa avokati u shpreh se do ta apelojnë.


TË NGJASHME