HomeLajme

Shkencëtarët ngrenë alarmin për supervullkanin më të madh në Tokë në 5000 vitet e fundit

Për herë të parë sot niveli i alarmit të një supervullkani është rritur nga 0 në 1 pas një serie tërmetesh të vogla. Shkencëtarët në Zelandën e Re kanë theksuar se pavarësisht shqetësimeve të tyre, mundësia e një shpërthimi të vullkanit Taupo të Ishullit të Veriut “mbetet shumë e ulët”.

Në fakt, shpërthimi i fundit ndodhi gati 1800 vjet më parë. Agjencia gjeologjike, GeoNet, tha se që nga maji i këtij viti janë regjistruar rreth 700 tërmete të vogla në liqenin Taup?, i cili është një liqen i madh krateri i vendosur në qendër të ishullit verior të Zelandës së Re.

Ndërsa shumë prej tyre ishin shumë të dobët për t’u ndjerë në tokë, më i madhi ishte një tërmet me magnitudë 4.5 më 10 shtator.

Megjithatë GeoNet tha se sot ishte hera e parë që kishte ngritur nivelin e alarmit të vullkanit Taupo, duke shtuar: “Tërmetet dhe deformimi mund të vazhdojnë për javët ose muajt e ardhshëm”.

Është vërejtur gjithashtu deformimi i tokës rreth liqenit, shkëmbi i nënujshëm Horomatangi. Besohet se sistemi ekzistues magmatik ndodhet atje dhe ku janë regjistruar më së shumti tërmete.

Duke folur për paralajmërimin e tyre, agjencia tha:
“Ne interpretojmë se ngritja e tokës dhe aktiviteti i tërmetit shkaktohet nga lëvizja e magmës dhe lëngjeve hidrotermale brenda vullkanit. Kemi marrë gjithashtu kampione burimesh dhe kanalesh gazi rreth liqenit për ndryshime në kimi që mund të lidhen me tërmetin dhe ngritjen e tokës.”

Udhëheqësi i Ekipit të Vullkanologjisë dhe Shkencës GNS, Nico Fournier shtoi: “Ndërsa disa nga tërmetet mund të ndihen në zonat përreth liqenit Taupo, deformimi aktualisht është i dallueshëm vetëm nga instrumentet tona të ndjeshme të monitorimit. Ne interpretojmë se ngritja e tokës dhe aktiviteti i tërmetit shkaktohet nga lëvizja e magmës dhe lëngjeve hidrotermale brenda vullkanit.”

Si rezultat i kësaj, alarmi i nivelit vullkanik është ngritur për herë të parë që kur u prezantuan në vitin 1994. Vetë sistemi ka gjashtë nivele – që variojnë nga 0 në 5 – megjithëse një shpërthim është i mundur në çdo nivel.

Që nga viti 1870, ka pasur 17 episode trazirash në Taupo, duke përfshirë katër të cilat mund të ishin klasifikuar në nivelin e dytë të alarmit, nëse sistemi do të kishte ekzistuar, sipas GeoNet.

GeoNet tha në deklaratën e së martës: “Niveli i alarmit vullkanik pasqyron nivelin aktual të trazirave ose aktivitetit vullkanik dhe nuk është një parashikim i aktivitetit të ardhshëm. Trazirat vullkanike në vullkanet si Taup? mund të vazhdojnë për muaj apo vite dhe të mos rezultojnë në një shpërthim.”

Gati 1800 vjet më parë, vullkani Taupo shkaktoi shpërthimin më të madh në Tokë në 5000 vitet e fundit. Pjesë të ishullit të Veriut u mbuluan me të paktën 1 cm hi, dhe zonat buzë liqenit u mbuluan me dhjetëra metra shkëmbinj dhe rrjedhje piroklastike.

Megjithatë, një shpërthim edhe më i madh ndodhi në vullkan rreth 25,500 vjet më parë duke krijuar një pellg të madh që formoi pjesën më të madhe të formës aktuale të liqenit.

Ndërmjet këtyre dy ngjarjeve, kanë ndodhur të paktën 27 shpërthime të tjera, ku shumë prej tyre janë të një shkalle më të vogël.

Zelanda e Re shtrihet në kufirin midis pllakave tektonike të Paqësorit dhe Australisë, që do të thotë se përjeton vullkanizëm dhe tërmete të rëndësishme.

Në vitin 2019, gjithashtu në Ishullin e Veriut, stratovolkani aktiv i njohur si Whakaari/Ishulli i Bardhë shpërtheu ndërsa 47 turistë dhe udhërrëfyes ishin në ishull në atë kohë. Në mënyrë tragjíke humbën jetën 22 persona dhe 25 u plágosën rëndë.

Pas kësaj tragjedie janë pezulluar të gjitha vizitat në ishull./ Burimi: Mirror | Përktheu dhe përshtati: GOTA NEWS ALBANIA


TË NGJASHME