HomeSociale

Shkodër/ Zhduket memoriali i LANÇ-it

Në Fiks Fare u ankuan përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve të Shkodrës, të cilët shprehen se dy muaj më parë në mesnatë, është zhdukur memoriali i demonstratës së rinisë së vitit 1942 në Shkodër. Demonstratë e përgjakshme gjatë luftës antifashiste. Ky  memorial ndryshe njihej si memoriali i “Vaso Kadisë”.

Ky memorial është i regjistruar në listën  e monumenteve kulturore, “është pronë e bashkisë dhe është antiligjore të zhduken këto monumente që përbëjnë histori” shprehet Zamir Llazani.

Ai tregon se ka bërë ankesën në Bashki, Prefekturë dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje . Në këto kushte iu drejtua Fiks Fare.

Gazetarët iu drejtuan Bashkisë Shkodër për të kuptuar se ku ka përfunduar dhe pse është hequr ky memorial. Në Bashkinë  Shkodër gazetarët morën si përgjigje se memoriali u largua nga vendi i tiJ, pasi nuk ishte mirëmbajtur nga ana e Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër.

Bekim Mema specialistë në Drejtorinë e Planifikimit Strategjik në Bashki, shprehet se nga ana e tyre i kanë  dërguar disa herë shkresa DRKK-së për mirëmbajtjen e monumenteve historike, por që nuk kanë marrë përgjigje. “ Meqë nuk janë mirëmbajtur ato janë prishur dhe në 2018 bëmë një rivlerësim të këtyre monumenteve dhe vendosëm që t’i kthenim në parqe publike” tha z. Mema .

Nuk është i këtij mendimi DRKK ku  drejtoresha Majlinda Laçaj shprehet se institucioni që ajo drejton nuk  mban përgjegjësi, pasi memoriali ishte pronë e Bashkisë dhe DRKK nuk ka si detyrë mirëmbajtje , por vetëm identifikimin e objektit për vlerën që mbartin  qoftë historike apo kulturore.

“Është bërë një evidentim në 2016 për të ndihmuar Bashkinë për regjistrimin e të gjithë monumenteve historike, por ne e kemi të përcaktuar se çfarë mbulojmë. Ky memorial nuk ishte në administrimin tonë” shprehet drejtoresha e DRKK madje këtë e fakton edhe me dokument ku vërtetohet se memoriali është në administrimin e Bashkisë Shkodër.

Ajo tregon se për ta çregjistruar memorialin bëhet vetëm me vendim të këshillit bashkiak , por që deri më sot memoriali në letra ekziston, por në realitet nuk është.  Gazetarët iu drejtuan edhe Prefekturës Shkodër, ku specialistja e marrëdhënieve më publikun, Nevila Keqi pohoi se nuk ka një vendim nga ana e këshillit bashkiak për prishjen apo largimin e memorialit. “Ky memorial është prishur pa vendim të këshillit bashkiak, pasi ne nuk jemi njoftuar për një mbledhje të këshillit bashkiak” përfundon specialistja.

Para disa ditësh në  vendin e memorialit kryetarja e Bashkisë Shkodër ka inauguruar lulishten “Vaso   Kadia”, projekt ky i financuar nga agjencia për Zhvillim e Zvicrës dhe Austrisë.

Ndërkohë në Shkodër janë asgjësuar edhe disa memorialë të tjera historike si: busti i Qemal Stafës, shtëpia muze e Luigj Gurakuqit, shtëpia muze e Migjenit, busti i heroit të popullit Manush Alimanit, busti i Vojo Kushit, memorial i 400 të burgosurve antifashistë të dërguar në kampin e shfarosjes në Prishtinë.


TË NGJASHME