Kronikë Lajme Lajmi i Fundit

Shpërthimi në karburant që plagosi 5 vetë të një familjeje, dëshmitari tregon ngjarjen

Shpërthimi i rezervuarit të gazit, në pikën e karburantit në Lezhë, ndodhi në momentin kur po furnizohej një makinë, brenda së cilës ndodheshin 5 anëtarë të një familjeje nga Shkodra, mes tyre edhe dy vajza të mitura 5 e 2 vjeçe.

Të pestë kanë mbetur të plagosur, bashkë me dy punonjës të pikës së karburantit. Të plagosurit janë Altin Bushati, 33 vjeç; Donika Bushati, 33 vjeçe; Bardhok Bushati, 36 vjeç, si dhe dy vajzat e mitura, 5 dhe 2 vjeçe.

Gjithashtu, kanë mbetur të lënduar dhe dy punonjësit e karburantit, Nikolin Prenga dhe Petrit Loka, përkatësisht 40 e 31 vjeç. Burime nga Policia thanë dje se shtetasit Bardhok Bushati dhe Nikolin Prenga ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, pasi kanë marrë djegie të shumta në trup, ndërsa të plagosurit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, jashtë rrezikut për jetën.

Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa automjete që ndodheshin të parkuara aty pranë. Në lidhje me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet dhe sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga rrjedhja e gazit, si pasojë e një defekti teknik në sistem. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.

auto_karburanti_1111566719619

POLICIA

Në njoftimin zyrtar, Policia e Lezhës tha se të shtunën rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë-Milot, në kryqëzimin e Shënkollit, në një karburant ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve. Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet, i cili po furnizohej me gaz, dhe dy punonjës pranë karburantit. Gjithashtu janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara pranë. Shtetasit N. P. dhe B. B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën. “Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku këto të fundit bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa, duke vendosur perimetrin e sigurisë dhe largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje”, tha dje Policia.

DESHMITARI

Një dëshmitar që ishte prezent në momentin kur ndodhi shpërthimi tregoi dje se si ndodhi ngjarja, duke thënë se pati dy shpërthime. Sipas tij, në fillim ka pasur një shpërthim te depozita e gazit, që ka marrë flakë menjëherë, e më pas makina që po furnizohej. Ndërsa tregon se në atë moment ka pasur një luhatje të energjisë elektrike. “Fillimisht ka shpërthyer depozita, më pas ka marrë flakë automjeti me gaz ku ka ndodhur edhe shpërthimi i dytë. Shkak mendoj se mund të ketë qenë një luhatje e energjisë elektrike. Dy punonjësit e karburantit janë dërguar të plagosur në Tiranë, të cilët kanë marrë edhe dëmtime të shumta, por janë jashtë rrezikut për jetën. Personat e tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë në Spitalin e Lezhës”, tha dëshmitari.

TE PLAGOSUR

1. Altin Bushati, 33 vjeç, ndodhet në spitalin e Lezhës
2. Donika Bushati, 33 vjeçe, ndodhet në spitalin e Lezhës
3. Bardhok Bushati, 36 vjeç, ndodhet në Spitalin e Traumës
4. Një vajzë 5 vjeçe, ndodhet në spitalin e Lezhës
5. Një vajzë 2 vjeçe, ndodhet në spitalin e Lezhës
6. Nikolin Prenga, 40 vjeç, punonjës i karburantit,
ndodhet në Spitalin e Traumës
7. Petrit Loka, 31 vjeç, ndodhet në spitalin e Lezhës

ISHTI: Karburanti u inspektua para 4 muajsh, s’pati probleme

Pas shpërthimit që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në një karburant pranë kryqëzimit të Shënkollit, në autostradën Lezhë-Milot, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka ngritur një grup pune për të hartuar aktin e ekspertimit në lidhje me shkakun e ngjarjes. ISHTI thekson se ngjarja e ndodhur në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve dhe gazit të subjektit tregtar “A. F. dhe M. A.” shpk, ka marrë flakë rezervuari i gazit që shërbente për furnizimin e automjeteve me kapacitet 6480 litra.

“Forcat zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit duke shmangur përfshirjen e zjarrit në depozitën e karburanteve, çka mund të sillte pasoja edhe më të rënda. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe dëshmive paraprake dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, e ndodhur nga defekt teknik në sistemin e gazit të lëngëzuar të naftës”, tha dje ISHTI. Ndërsa sqaron se 4 muaj më parë, karburanti i është nënshtruar kontrollit dhe specialistët që kanë bërë verifikimet në terren nuk kanë shënuar asnjë problem në raportin e tyre. Incidenti i rëndë ndodhi në një kohë kur aksioni antiinformalitet, i nisur prej disa javësh, ka si përparësi subjektet e tregtimit të karburanteve.

Në muajin korrik, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial vuri në dukje problemet që kishte përdorimi i pajisjeve të gazit nga subjektet që bëjnë tregtimin e tij me pakicë, duke sjellë në vëmendje se vetëm zbatimi i rregullave strikte mund të parandalojë ngjarjet e rënda. Në mjediset ku janë instaluar dhe përdoren bombolat, duhet të ketë sistem detektues-sinjalizues e autobllokues të furnizimit me gaz. Subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë nuk duhet të përdorin bombola të vjetra me shenja dëmtimi apo jashtë afateve të kolaudimit të detajuar në trupin e bombolës.

Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e bombolave duhet të bëhet në përputhje me skemën teknologjike të instalimit të hartuar nga një inxhinier i licencuar, nën përgjegjësinë e shoqërive të tregtimit me pakicë dhe të subjekteve të licencuara. Inspektorati tërheq vëmendjen se instalimi i bombolës së gazit duhet të bëhet në ambiente të ajrosura, larg burimeve të nxehtësisë dhe instalimeve elektrike ndërkohë që rekomandohet përdorimi i tubave të bakrit për lidhjen mes bombolave deri në vatrën e përdorimit.

Related posts

“Streha Mes Reve” vlerësohet dhe në SHBA, fiton çmimin “Global Vision Award”

Anxhela news

UNICEF i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare për rastin e Kavajës

Mila

Parashikimi i Horoskopit, datë 02 shtator 2019

Klaudia gotanews
Na Kontaktoni!