HomeSociale

Shpërthimi në Vlorë, djali i vendosi eksploziv të atit

Shpërthimi, që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Vlorë, dyshohet të ketë pasur si motiv një konflikt pronësie mes djalit dhe babait.

Policia tha dhe se ka zbardhur ngjarjen, ku u vendos eksploziv në banesën e shtetasit Frederik Osmënaj, 61 vjeç, në lagjen “Rilindja” të këtij qyteti. Nga hetimet e kryera, oficerët e Policisë së Vlorës kanë arritur të zbardhin dinamikën e ngjarjes, ndërsa kanë shpallur në kërkim 35-vjeçarin, Ervis Osmënaj, djali i pronarit të banesës. Sipas burimeve të Policisë, Ervis Osmënaj është autori i vendosjes së eksplozivit.

Ai tashmë është shpallur në kërkim nga Policia. Të njëjtat burime thanë se shkak i vendosjes së lëndës plasëse në banesën e Osmënajt kanë qenë konfliktet e vazhdueshme mes babait dhe djalit për shkaqe pronësie. Pranë banesës së tyre, familja Osmënaj kishte edhe një lavash, që po ashtu ishte pjesë e konfliktit të pronësisë, ashtu sikurse edhe shtëpia. Policia tha se autori i dyshuar i ngjarjes, Ervis Osmënaj, është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pasi ka hedhur sasinë e eksplozivit.

Nga të dhënat e deritanishme, burimet sqaruan se bëhet fjalë për një sasi të vogël tritoli, që ka shkaktuar vetëm disa dëme materiale. Në këto rrethana, ka dyshime se autori ka pasur si qëllim që të frikësonte familjarët e tij, por edhe t’i paralajmëronte rreth zgjidhjes së konflikteve. Kanë qenë vetë familjarët e të dyshuarit, ata që i kanë orientuar oficerët e Policisë drejt pistës së pronësisë.

NGJARJA

Policia tha se shpërthimi i një sasie lënde eksplozive në lagjen “Rilindja” të Vlorës, ka ndodhur rreth orës 01:00 të së shtunës. Një sasi e vogël tritoli është hedhur në oborrin e banesës së shtetasit Frederik Osmëni, baba i 4 fëmijëve. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë që kanë nisur menjëherë hetimet, por edhe kanë marrë në pyetje banorët, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri. Fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm disa dëme materiale. Lënda plasëse ishte hedhur në oborr, në një hapësirë mes banesës dhe lavazhit që është në pronësi të familjes së Frederik Osmënit.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 00:40 të datës 30 mars 2019, ku në oborrin e banesës së shtetasit F.O., ka shpërthyer një sasi eksplozivi, duke shkaktuar vetëm dëmtime të vogla materiale, pas hetimeve intensive të Policisë së Vlorës është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, motivit të saj, si dhe identifikimi e shpallja në kërkim e autorit të dyshuar. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se autori i dyshuar i ngjarjes të jetë i biri i shtetasit F.O., (shtetasi E. O.).

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie dhe konflikteve të vazhdueshme midis tyre. Vijon puna për kapjen e shtetasit E.O., të shpallur në kërkim. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e Vlorës.


TË NGJASHME