HomeSport

Shqipëri-Turqi nën masa të rrepta sigurie

800 efektiv policie kanë blinduar qytetin e Shkodrës aty ku pritet që të luhet ndeshja Shqipëri-Turqi e vlefshme për Euro 2020.

Reparti Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, drejtoria e Shkodrës dhe antiterrori janë dislokuar për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë ndeshjes që do të luhet në Loro Boriçi.

Dhe pse zyrtarisht policia nuk jep një shifër burimet bëjnë me dije se janë shoqëruar për verifikim mbi 30 persona të cilët kanë prirje për veprime të dhunshme dhe radikale.

Edhe më herët gjatë ndeshjeve sportive ka patur persona me prirje ekstremiste në qytetin e Shkodrës ku disa u ndaluan para ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Ndeshja pritet të nis në orën 20:45 ndërsa hyrja e tifozëve nën kontrollin e policisë dhe rrethimeve të sigurisë do të nisë prej orës 17:00.

Policia ka vendosur dhe një sërë kufizimesh të tjera: Nuk lejohet parkimi i mjeteve në akset pranë stadiumit Loro Borici si dhe lëvizjet në zonën përreth.

Po ashtu uniformat blu kanë kërkuar që bizneset në zonën përreth stadiumit të mbyllen prej orës 14.

Ekipi kombëtar turk që nga momenti i mbërritjes në Rinas e përgjatë qëndrimit në hotel, dhe në përfundim të ndeshjes është nën monitorimin e repartit Renea.


TË NGJASHME