HomeLajmi i Fundit

“Shqipëria Solidare”, Ministria e Financave nxit bizneset që të kontribuojnë

Nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntorit, në ndihmë të familjeve të dëmtuara, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik.

Permes nje njoftimi per media Ministria e Financave ben me dije se ka përgatitur Aktin Normativ sipas së cilit do të rritet nga 3% në 8% e fitimit të tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset.

‘Kjo incentivë në shërbim të angazhimit tonë ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion’ thote MF.

Sipas saj, shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

MF njofton se ‘Thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit’.